Talebanët pritej të formojnë qeverinë sot. Njoftimi i një administrate të re mund të bëhet pas lutjeve të së Premtes, thanë dy burime talebanë për agjencinë e lajmeve AFP. Grupi nis formimin e qeverisë, disa ditë pasi SHBA tërhoqi plotësisht trupat e saj dhe përfundoi 20 vjet luftë. Perëndimi është në pritje të një qasje të re nga talebanët. Nga ana tjetër, një zëdhënës i talebanëve postoi në mediat sociale të Premten herët se ministria e jashtme e Kinës kishte premtuar të mbante hapur ambasadën e saj në Afganistan dhe të “forconte” marrëdhëniet dhe ndihmën humanitare.
Kombet e Bashkuara thanë se kishin rifilluar fluturimet humanitare në pjesë të vendit, duke lidhur kryeqytetin pakistanez Islamabad me Mazar-i-Sharif në Afganistanin verior dhe Kandahar në jug. Dhjetëra mijëra afganë janë zhvendosur brenda vendit për shkak të dhunës së fundit. Rreth gjysmë milioni të tjerë vlerësohet se do të largohen në vendet fqinje si Pakistani dhe Irani. Aeroporti kryesor i vendit në Kabul mbetet i mbyllur, por pritet të rihapet brenda pak ditësh me ndihmën e ekspertëve teknikë nga Katari.