Vajzave nuk u është mundësuar kthimi në shkollat e mesme në Afganistan, pasi udhëheqësit talibanë në këtë shtet kanë marrë vendim që vetëm djemtë dhe mësuesit burra të kthehen nëpër klasa, transmeton agjencia e lajmeve AFP.
Grupi i linjës së ashpër islamike ka rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi muajin e kaluar, duke u zotuar për ton më të butë, për dallim nga vitet 1990, kur grave u është ndaluar edukimi dhe puna.
Mirëpo një urdhër nga Ministria e Edukimit, ka qenë veprimi i fundit nga Qeveria e talibanëve, që përbën kërcënim për të drejtat e grave.
“Të gjithë mësuesit burra dhe nxënësit duhet të marrin pjesë në institucionet edukative”, është thënë në deklaratë, para se të niste mësimi të shtunën.
Në deklaratën e lëshuar të premten vonë, nuk janë përmendur mësueset apo nxënëset.
Shkollat e mesme, me nxënës të moshave nga 13 deri në 18-vjeçare, zakonisht ndahen në baza gjinore në Afganistan.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, ato janë mbyllur vazhdimisht, mirëpo mbyllja më e madhe është vërejtur prej ardhjes së talibanëve në pushtet.
Prej ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Afganistan më 2001, është raportuar për përparim të konsiderueshëm në edukimin e vajzave.
Tani që misioni amerikan ka përfunduar dhe talibanët janë kthyer në pushtet, Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë “thellësisht të shqetësuara” për të ardhmen e shkollimit të vajzave.
Shkollat fillore tashmë janë hapur me klasa të ndara të djemve dhe vajzave.
Në disa shkolla janë kthyer në punë edhe mësueset gra.
Regjimi i ri ua ka ndaluar grave shkuarjen në universitete private, si dhe u ka caktuar rregull të ri për veshje dhe lëvizje./ Marrë nga REL