Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Emergjencës Civile, Haki Çako deklaroi sot si rezultat e vatrave masive që përfshinë vendin gjatë periudhës korrik-gusht u dëmtuan 33,420 hektarë kullota, pyje e shkurre si dhe mbi 14 mijë rrënjë ullinj e pemtari. Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në bazën ajrore në Farkë, lidhur me menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, Çako tha se vendi ynë është konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për zjarret dhe se në gjithë vendin shpërthyen 389 vatra zjarri. Zjarri më masiv, vuri në dukje ai, ishte në Gadishullin e Karaburunit.

“Për shkak të temperaturave ekstremisht të larta në periudhën korrik-gusht, Shqipëria u përfshi në zjarre masive në pyje, kullota e pemtari, por nuk kursyen as banesa dhe ku humbën jetën 2 qytetarë. Si rezultat u konsiderua e domosdoshme kërkesa për ndihmë dhe asistencë ndërkombëtare, të cilët ndihmuan me helikopterë. 389 vatra zjarri shpërthyen në gjithë vendin. Nga vlerësimet paraprake të ekspertëve rezulton se janë djegur 33,420 ha kullota, shkurre pyje si dhe 14,234 rrënjë ullinj pemtari”, tha Çako. Kreu i Emergjencave Civile bëri të ditur se prej disa vitesh qeveria shqiptare ka vendosur në prioritet një reformë të rëndësishme për përballimin e menaxhimin e fatkeqësive natyre, fenomene që kanë ekspozuar vendin tonë si një ndër vendet me risk të lartë.

Çako tha se u krye një reformë e plotë, ligjore e administrative në fushën e mbrojtjes civile e cila u finalizua me miratimin nga Kuvendi të ligjit Për mbrojtjen civile”, përmes së cilit iu hap rruga hartimit të politikave të qarta për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore.

Vitet e fundit vendi ynë është përballur me një sërë emergjencash natyrore si tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19, përmbytjet e fillimvitit 2021 dhe së fundmi zjarret. “Këto situata kërkuan angazhim maksimal të kapaciteteve njerëzore teknike dhe financiare”, tha Çako.