Tirana kryeqyteti digjital i Ballkanit, është jo vetëm një ambicie, por objektiv i qartë i kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj. Duke listuar disa nga vendimet që shkojnë në funksion të këtij qëllimi, ku më i rëndësishmi është shndërrimi i Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan, por dhe hapja për herë të parë e disa shkollave elitë të teknologjisë si “Holberton”, kryebashkiaku Veliaj tha se fokusi drejt Tiranës 2050 është industria kreative.
“Ndonjëherë krizat ofrojnë mundësi pa fund. Prej tërmeteve po bëjmë 10 shkolla të reja, ku po sigurohemi që të kenë edhe laboratorë kreativë, hapësira për start-up, kodim dhe dizajn. Industria kreative është fokusi ynë kryesor. Sot Piramida e Tiranës është prona më e shtrenjtë në Shqipëri. Vendimi për t’i dhënë pronën në zemër të kryeqytetit kësaj industrie dhe për të kaluar nga 1 mijë studentë që ka tani Tumo Center në 5800 kur të transferohet te Piramida, dëshmon qartë për prioritetin me të cilin i marrim vendimet,” u shpreh Veliaj, i cili ishte i pranishëm në Edicionin e Katërt të Forumit Ndërkombëtar të Industrisë Kreative.
Veliaj tha se nuk është aspak i rastësishëm interesimi i rrjeteve më të mëdha ndërkombëtare të arsimit në fushës e teknologjisë pasi Tirana vitin e ardhshëm që përkon edhe me vitin Europian të Rinisë do të jetë kryeqyteti Europian i Rinisë.
“Këtë vit arsimor do të hapet “Holberton”, shkolla më e mirë e kodimit, me një nivel të avancuar për inxhinierë dhe me karrierë nga Silicon Valley. “Houston” është një shkollë tjetër e kodimit. Fakti që brenda një sezoni vijnë 5 lajme të mira për 5 institucione të reja do të thotë shumë. Ndaj dua gjithmonë e më shumë ta inkurajoj idenë e Tiranës, kryeqyteti digjital i Ballkanit. Lajmi i mirë është që Presidentja e Bashkimit Evropian deklaroi që i gjithë viti 2022 do jetë Viti Europian i Rinisë dhe çfarë koincidence që qëllon në Tiranë, Kryeqytetin Europian të Rinisë vitin e ardhshëm,” deklaroi Veliaj.