Ashtu sikurse ishte bërë e ditur nga autoritetet shqiptare, pjesa më e madhe e afganëve që kanë mbërritur në Shqipëri janë pedagogë, gazetarë dhe punonjës organizatash. Ne takuam Wahabin (Uahab), një 34-vjeçar i cili është gazetar e pedagog dhe foli se si ndihet në vendin tonë.
Wahab: Është dita e katërt që jam këtu në Shqipëri dhe kam ardhur me bashkëshorten e 3 fëmijët e mi. Kur erdha këtu çdo gjë ishte përtej pritshmërive të mia, pasi nuk e dija që shqiptarët janë kaq mikpritës në një nivel tepër të lartë. Ne kemi ardhur me kilometra të tëra nga Afganistani i largët, por këtu në Shqipëri shoh fytyra të qeshura që janë shumë miqësore. Po ashtu edhe autoritetet shqiptare na kanë krijuar kushtet e duhura këtu në Qytetin Studenti.
34-vjeçari afgan na tregoi se kishte dëgjuar dhe më parë për Shqipërinë.
Wahab: Unë jam asistent profesor në shkollën e komunikimit, kështu që kam qenë në kontakt me historinë e shteteve të tjera dhe jam në koherencë me gjithçka, por mbi të gjitha jam gazetar si ju dhe duhet të jem i informuar. Prandaj kisha dëgjuar dhe më parë për Shqipërinë, por jam tepër i surprizuar me mikpritjen këtu.
Gazetari afgan tregoi dhe ndjesitë e tij teksa u largua nga vendi i tij i lindjes, duke lënë pas shumë të afërm dhe kujtime.
Wahab: Kur je rritur në një vend, ke memorizuar çdo rrugë apo çdo pikë të tij, ushqimi, njerëzit apo çdo gjë tjetër, në të tilla raste të mungon çdo gjë. Nuk është e lehtë të lësh gjithçka në vendin tënd të lindjes dhe të marrësh një çantë shpine e të vish në një vend tjetër europian, që ka shumë ndryshime me kulturën dhe traditën tonë”. Ndihem shumë mirë këtu në Shqipëri për gjithçka, por vecanërisht për njerëzit dhe klimën këtu, më pëlqen gjithçka.
Gazetari Gjatë këtyre ditëve që keni mbërritur në Shqipëri a keni vizituar ndonjë zonë tjetër përveç Qytetit Studenti në Tiranë?
Wahab: Kur erdhëm këtu na thanë që duhet të bëjmë testin PCR për COVID-19 dhe nuk na lejohej të dilnim. Por tani pasi kam kryer testin me familjen dhe dolëm negativë, jam i lirë të shëtis. Kam qenë në kafe, në qendra tregtare dhe supermarket, kam takuar dhe miq të mitë. Po ashtu kam krijuar miqësi me shqiptarë. Dita-ditës po filloj të ndihem si në shtëpinë time këtu në vendin tuaj.Tani është momenti që po na mikprisni ju ne, por ndoshta në të ardhmen gjeneratat e tjera të afganëve mund t’iu presin ju. Faleminderit për gjithçka që po bëni për ne.
Pjesa më e madhe e 6 kontigjentëve të afganëve që kanë mbërritur në vendin tonë po qëndrojnë në godinat 11 dhe 12 të Qytetit Studenti.