Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Lezhës dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht, pasi në mjetet e tyre janë gjetur doza kokainë, eksazi dhe hashash. Këta shtetas kanë qenë në festivalin e njohur që zhvillohet në Shëngjin, UNUM Festival.
Në vijim punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në kuadër të masave për garantimin e rendit e sigurisë gjatë aktivitetit UNUM Festival, shërbimet e Policisë bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontrolle në automjete dhe persona që lëviznin për të hyrë në vendin ku zhvillohej festivali.
Këtyre shtetasve, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të llojit kokainë, ekstazi dhe canabis sativa. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, njofton Policia.