Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha sot se “nga 450 vizita që po kryhen nga mjekët e Urgjencës, 120 janë vetëm për COVID”.
Në një prononcim për mediet Brataj tha se “nga këto 120 vizita, mbi 50% e tyre trajtohen në banesë”.
Brataj u shpreh se “ka përditësim të gjithë medikamenteve që janë përdorur në këtë periudhë, të cilat kanë dhënë ose jo rezultat edhe ne i përshtatemi literaturës botërore që ka dalë për mjekimin e COVID-19”.
“I përshtatemi duke i ardhur në ndihmë qytetarëve, por nuk ka ende një medikament të mirëfilltë që të themi që ky është anticovid”,- shtoi Brataj.
Ai bëri apel për respektimin e masave antikovid dhe vaksinimin e popullsisë.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dje janë kryer 4081 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 451 qytetarë.