Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në takim presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron. Presidentja e Komisionit Europian në një reagim në rrjetet sociale pas takimit me Metën u shpreh se, “ne punojmë krah për krah për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme nga pandemia. Team Europe është në anën tuaj, me 430,000 doza të dhuruara për Shqipërinë”. “Prioritetet tona të përbashkëta: Shpejtimi i vaksinimit. Krijimi i vendeve të punës dhe rritja me Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, theksoi Von der Leyen.

Presidentja e KE Von der Leyen nisi udhëtimin e saj në Tiranë, sot në mëngjes, ku u prit nga kryeministri Edi Rama. Së bashku me kryeministrin, ajo do të marrë pjesë në përurimin e shkollës ‘Korb Muça’ dhe Kopshtit ‘Europa’, e cila u rindërtua me fondet e BE -së në kuadër të programit EU4Schools pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019. Në fund të vizitës së saj, presidentja e KE-së do të dalë në konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.