Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po u bëjnë thirrje edhe një herë grave shtatzëna që të vaksinohen kundër COVID-19.
Udhëzimi i lëshuar të mërkurën nga CDC-ja përfshin gjithashtu gratë që po përpiqen të mbeten shtatzënë ose që kanë qenë shtatzënë kohët e fundit. Agjencia paralajmëron se virusi paraqet një rrezik të lartë gjatë shtatzënisë duke rezultuar në sëmundje të rënda dhe vdekje, si dhe rritje të rrezikut të lindjeve së parakohshme, foshnjave të lindura të vdekura ose komplikacione të tjera.
CDC-ja thotë se rreth 125,000 gra shtatzëna në Shtetet e Bashkuara kanë rezultuar pozitive për COVID-19, nga të cilat 22,000 janë shtruar në spital dhe 161 të cilat kanë vdekur, përfshirë një rekord të lartë prej 22 vdekjesh të shënuar në muajin gusht. Sipas CDC-së 97% e grave shtatzëna të shtruara në spital me COVID-19 nuk ishin të vaksinuara.
Një udhëzim i lëshuar nga CDC-ja muajin e kaluar thotë se provat tregojnë se përfitimet nga vaksina tejkalojnë rrezikun e abortit ose ndonjë ndërlikim tjetër të mundshëm.
Kompania farmaceutike Merck me qendër në Shtetet e Bashkuara thotë se ilaçi i saj eksperimental antiviral COVID-19 duket të jetë i efektshëm kundër varianteve të njohura të sëmundjes. Kompania tha të mërkurën se studimet klinike në fazat e hershme tregojnë se ilaçi i ri, molnupiravir, ishte më i efektshëm kur u jepet pacientëve brenda pesë ditëve nga diagnoza e tyre fillestare.
Kompania Merck thotë se ka filluar dy prova të zgjeruara që janë në faza të vonshme të molnupiravirit –njëri për trajtimin e COVID-19, dhe tjetri si mjekim parandalues.
Në zhvillime të tjera, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi kufizime për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit të ardhshëm dhe Lojërat Paralimpike në Pekin si pasojë e COVID-19.
Komiteti Olimpik tha se një plan i paraqitur nga organizatorët olimpikë përfshin një “sistem të menaxhimit” në të cilin të gjithë atletët, gazetarët dhe stafi do të duhet të konkurrojnë, punojnë dhe jetojnë brenda një zone të kufizuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së lojrave. Sistemi “me qark të mbyllur” është i ngjashëm me atë të krijuar nga Shoqata Kombëtare Amerikane e Basketbollit në mesin e vitit 2020 kur rifilloi sezonin e tij 2019-20 në pikën turistike Walt Disney World Resort në Orlando, të Floridës.
Plani kërkon gjithashtu që atletët që nuk janë plotësisht të vaksinuar do të duhet të hyjnë në një periudhë karantine 21-ditore pasi të mbërrijnë në Pekin. Ndryshe nga Lojërat Olimpike Verore dhe Paraolimpike të këtij viti në Tokio, spektatorët do të lejohen të marrin pjesë në ngjarjet sportive, por biletat do të kufizohen vetëm për ata që jetojnë në Kinën kontinentale.
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa Paraolimpiket do të zhvillohen nga 4 deri më 13 mars./ VOA