Antonio Conte po lidhet gjithnjë e më shumë me stolin e Manchester United, ndërsa presioni rritet mbi Ole Gunnar Solskjaer. Norvegjezi, tani në sezonin e tij të tretë në krye të “Djajve të Kuq”, e pa ekipin e tij të humbte 4-2 ndaj Leicester City, të shtunën. Kjo është humbja e tretë e Manchester United në pesë ndeshje, në të gjitha garat, me disa që vënë në dyshim kredencialet e Solskjaer.

Ai ende nuk ka sjellë një trofe në “Old Trafford” dhe, pas investimit të rëndë veror që përfshiu kthimin e Cristiano Ronaldos, ka pak justifikime për këtë sezon. Humbja e lë skuadrën nga “Old Trafford” pesë pikë larg kreut të renditjes, me një seri ndeshjesh të forta kundër elitës së Premier League në prag. “Mirror” shkruan sot për një ndryshim drejtimi në stolin e “Djajve të Kuq”, me ish-trajnerin e Chelsea që shihet si një kandidat i besueshëm.

Conte, i cili e ka bërë të qartë se çfarë dëshiron nga puna e tij e ardhshme, është një trajner që kërkon punë. Suksesi e ndjek italianin, i cili i udhëhoqi Blutë e Londrës drejt titullit më 2017, ashtu si Interin në Serie A, sezonin e kaluar. Sidoqoftë, ai vjen me kërkesa të qarta, do mbështetje në merkato nga klubi, një prirje e njohur. Manchester United ka bërë disa blerje të bujshme, që nga punësimi i Solskjaer, por kjo mund të duhet të ndryshojë nëse emërojnë italianin në të ardhmen e afërt. Conte mbërriti në Londrën perëndimore në vitin 2016 dhe shumë shpejt u adaptua me kërkesat e futbollit anglez.