Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Håstad ka zbuluar personat me të cilët udhëtoi drejt Përmetit e Tepelenës bashkë me ambasadoren e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Në një postim në Instagram, ambasadorja Håstad ka publikuar foto ku shihet me Kim, gazetaren Mira Kazhani e Anjeza Majën, moderatoren që tashmë është pjesë e “ERTV”, televizionit të kryeministrit Edi Rama.

Të ftuara nga Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, ambasadoret dhe dy mikeshat e tyre kanë shijuar shegët, petullat e lulet e Përmetit e të Tepelenës.

Në një video të postuar po nga ambasadorja Hastad dëgjohet edhe vetë Kumbaro që i shpjegon Kim recetën tradicionale të glikosë.

“Bëhet me fruta të bardha,”- tregon Kumbaro ndërsa ambasadorja e SHBA-ve dëgjon me ëndje.