Nga Plator Nesturi
Deklarata e djeshme e Bashës pas mbledhjes së grupit parlamentar, dukej si akti i parë i futjes së PD në shinat e politikës. Pas kaq kohësh u shmang çështja e Berishës dhe Foltores së tij nëpër qytetet e vendit për të kaluar në elementë konkretë se çfarë do të synohet në parlament dhe ku do të përqëndrohet beteja politike. Tre amendamentet e paraqitura nga Basha duken si inisiativa befasuese dhe si avantazh idesh ndaj maxhorancës. Amendamentet janë zhbërja për ndryshimet Kushtetuese të zgjedhjeve të 30 korrikut dhe miratimin e komisionit të reformës zgjedhore, amendamentin kushtetues për vetingun e politikanëve në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias të fundvitit 2018 dhe amendamenti i tretë për hapjen rrugë të reformës territorial. Të gjitha këto propozime bëhen në të njëjtën ditë kur sapo ngrihet komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Deri këtu nuk asgjë të keqe dhe inisiativa e opozitës për të qenë aktive në parlament dhe jo jashtë tij, duhet përshëndetur. Por çështaj nuk kufizohet me kaq.
Në deklaratën e vet, kreu i PD Basha, ndërsa shpalos inisiativën e tre amendamenteve që do të paraqesë opozita, është i kujdesshëm të shprehet se nuk do të bëjë asnjë pazar me maxhorancën për përmbushjen e këtyre angazhimeve. Por siç mund të shihet, të tre këto amendamente kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë, çka do të thotë të marrë votat e 93 deputetëve, çka nuk mund të arrihet pa një marrëveshje midis dy palëve për të vajtur tek ky koorum votash. Nga ana tjetër ndërhyrje në kushtetutë për një shtyrje të afateve të institucioneve të vetingut është kërkuar edhe nga maxhoranca. Njëkohësisht edhe përfaqësues diplomatikë të vendeve që kanë mbështetur reformën në drejtësi i kanë kërkuar politikës të zbatojë këto ndryshime kushtetuese. Në të gjitha rastet pra kërkohet ndryshim në kushtetutë, dhe për tia arritur kësaj në mos duhet pazar, duhet marrëveshje midis palëve. Në rastin kokret maxhoranca kërkon ndërhyrje vetëm për një çështje, ndërsa PD kërkon ndërhyrje për tre çështje të veçanta. Nga një anë është moment i mirë për të, pasi nëse shkohet për ndërhyrje në Kushtetutë, është mirë që të mos bëhet për një rast sporadik, por të jetë si paketë dhe ky ndryshim të jetë i studiuar e të prodhojë zhvillim apo zhbllokim të ngërceve që mund të hasen. Parë në këtë aspekt, fakti që maxhoranca do ndryshim dhe Basha i shton tre të tjerë, do të thotë se është Basha ai që po bën pazar për votën që ka ndërmend të japë. Pra, jep një e merr tre.
Nëse do të jetë ky raport shkëmbimi në konsensusin për votën, padyshim që ky do të ish një sukses i bukur për opozitën. Gjithësesi, vështirë të thuhet nëse të gjitha këto amendamente do të jetësohen, pasi deri më tani duket se kemi të bëjmë veç me reklamim të mallit. Maxhoranca natyrisht ia ka nevojën për të arritur ndryshimet kushtetuese që ka marrë përsipër. Natyrisht që edhe do të hapë krahun për ndonjë nga amendamentet që paraqet Basha, por vështirë se do të jetë e detyruar ti zbatojë plotësisht. Dhe arësyeja është se vetë PD është pa forcë. Madje është e telendisur nga lufta e brendshme. Luftë që do të ketë pasoja jo thjesht për të tashmen nga beteja e Berishës por dhe për të ardhmen e peshën që do të ketë në elektorat. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se ka një ndihmë solidarizimi me Bashën, jo vetëm nga ndërkombëtarët, por dhe nga maxhoranca. Ndihmë që ka të bëjë me ruajtjen e profilit të tij si një protagonist ende aktiv në politikë, dhe që pavarësisht Foltores dhe bjerrjes në PD, ka ende një peshë specifike. Dhe natyrisht kjo mbështetje do të vijojë, siç u pa me angazhimet aktuale të opozitës me ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet, ashtu edhe me futjen e ndonjë amendamenti të inicuar nga Basha për të ardhmen. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi në vetvete politika është dhe arti i marrëveshjes. Veçse diçka. Na i kurseni deklaratat se nuk do të ketë pazar.
fjala.al