Drejtuesi Politik i PS-së në Qarkun e Fierit, Taulant Balla ka zhvilluar sot takime në Kurjan, Kuman, Strumë dhe Roskovec me strukturat e Partisë Socialiste.
Balla tha se “ne e kemi partinë e duhur dhe duhet të vazhdojmë ta përsosim atë në aspektin organizativ dhe digjital. Të tjerët s’kanë as parti, për fatin e tyre të keq s’paskan as lista reale të kongresit apo kuvendit si e quajnë ata. Ajo që na duhet është nevoja e një ri-organizimi të plotë në territor”.
“Përmbyllja e procesit të kalimit anëtarësisë së partisë tërësisht 100%, pa konservatorizma të kotë, në rrjet digjital është synimi ynë në këtë fazë organizative. Përfshirja e partisë në vlerësimin e Deputetëve, Qeverisë dhe Kryetarëve të Bashkive, ishte një ushtrim shumë demokratik nga i cili u morën të dhëna të dobishme. Çdo anëtar i Partisë Socialiste duhet të marrë njoftim në kohë reale për çdo vendim-marrje tonën, në Kuvend, në Qeveri apo këshilla bashkiakë.Dhe anasjelltas, çdo anëtar partie duhet të ketë mundësinë të shprehet apo japë mendimin e vet on-line. Teknologjia është, partinë e kemi, e gjithë struktura duhet të ketë komunikim digjital. Dhe mos harroni krahasimin e bëjmë me veten”, shprehet Balla.