Në Mal të Zi u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë në Transport, me pjesëmarrjen e të gjithë Ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësuesve të Komisionit Europian, duke pasur në fokus bashkëpunimin mes vendeve të rajonit sa i takon përmirësimit të transportit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e pranishme në këtë Konferencë, tha se ky është një tjetër hap i bashkëpunimit rajonal, i cili mbështetet në projekte konkrete, dhe të përbashkëta mes vendeve.

‘Kemi folur sot konkretisht për sigurinë rrugore, për kufijtë të cilët duhet të përpunohen në mënyrë të përbashkët, pasi nuk mjafton vetëm infrastruktura të jetë më e mirë, por duhet patjetër që edhe radhët në kufij të mos ekzistojnë më, pra kalimi i qytetarëve apo edhe i mallrave të jetë i pandërprerë në të gjithë Ballkanin Perëndimor’, u shpreh Balluku.

Me prezencën e përfaqësuesve të Komisionit Europian në tryezë kemi arritur që të diskutojmë çështje që janë serioze për të gjitha vendet tona, theksoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke u ndalur tek dy projekte të rëndësishme siç është Korridori VIII dhe projekti për lidhjen e Shqipërisë me Malin e Zi përmes linjës hekurudhore Vorë-Hani I Hotit.

‘Kemi arritur ta adresojmë gjithçka që duhet zgjidhur në të ardhmen dhe sigurisht kemi folur për të gjithë projektet tona kaq të rëndësishme siç është korridori i 8-të apo siç është dhe lidhja e Shqipërisë përmes hekurudhës Vorë-Hani i Hotit me Malin e Zi duke u bërë kështu pjesë e korridorit të 10-të. Në të ardhmen ne do të kemi edhe takime të tjera, do të ulemi në tryezë për të biseduar gjithçka e cila kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë, por intensifikimi i këtyre takimeve, kontakti që ne kemi brenda ministrive të të gjithë rajonit, por sidomos mbështetja nga Bashkimi Europian do të jenë kruçale në zgjidhjen e çdo problematike dhe të investimeve të së ardhmes’, nënvizoi Balluku.

Matej Zakonjsek, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit u shpreh se ishte një Konferencë që tregoi që shumë progres është bërë, por edhe sfidat që paraqiten para.

Për Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, Lirbun Aliu, Konferenca të ngjashme kanë një rol jashtëzakonisht pozitiv për shkak se shtojnë komunikimin e vendeve dhe normalizojnë situatën e krijimit të korridoreve të reja.

‘Po flasim për hekurudhën e re që do të lidhë linjën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit dhe që do të shkojë më tutje në Podgoricë e tej, do ta lidhë edhe me korridorin 10 përmes Prishtinës. Në këtë pikë edhe me ministren Balluku e kemi përmendur këtu në konferencën e sotme, do të bëjmë shpejt një memorandum të mirëkuptimit me të cilin do të fillojmë me projektin e parë për hapat e parë që janë që ka të bëjë me studimin e pre fizibilitetit i cili pastaj do të pasohet me projekte, me hapa të tjerë të projekteve dhe të realizimit të kësaj linje’, deklaroi Aliu.