Pas eksperimentimit njëvjeçar me projektin “parqet në shkolla”, institucionet arsimore të kryeqytetit do të ofrojnë një rrjet hapësirash rekreative brenda lagjeve dhe komplekseve të banimit për qindra mijëra familje të qytetit të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka njoftuar se oborret dhe palestrat e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë qytetin janë të hapura për publikun pas orëve të mësimit. Ky vendim prek si shkollat urbane dhe ato rurale, duke rritur mundësitë e aktiviteteve sportive pranë vendbanimit për fëmijët edhe jashtë orëve të mësimit.
Fillimisht objektet janë të hapura nga ora 16:00 deri në orën 20:00.
“Janë 4 orë në ditë për 365 ditë në vit që fëmijët të largohen nga ekranet”, thotë Erindi Bejko, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike që mirëmban godinat arsimore. Por shkollat do të jenë të hapura edhe për gjithë të tjerët. Nënat ose gjyshërit që duan të bëjnë një shëtitje në një vend të qetë në mbrëmje do të kenë ambientet e shkollave si vend ideal për ta bërë këtë. Sipas Bejkos, zgjerimi i funksioneve të kampuseve të shkollave mund të ndihmojë në ndryshimin e perceptimit të fëmijëve për shkollën. “Ata nuk do t’i shohin shkollat vetëm si detyrim, por edhe si një vend për të kaluar kohën e lirë, për të ushtruar një sport, mbi të gjitha të qenit pjesë e grupeve që i shërben rritjes së vetëbesimit,” thotë ai.
Sipërfaqja e përbashkët e hapësirave të jashtme në kampuset shkollore të Tiranës është rreth 1,600,000 m2. Përtej përdorimit të palestrave për sport, hapja e oborreve të shkollave është një metodë praktike për të përmirësuar aksesin në hapësira rekreative për fëmijët dhe kujdestarët e tyre dhe sidomos të moshuarit për të cilët bëhet e vështirë ecja në distanca më të gjata brenda qytetit. Për të pasqyruar sesi oborri i shkollës mund t’u shërbejë më mirë të vegjëlve, të moshuarve dhe kujdestarëve të fëmijëve, një projekt i ri pilot po identifikon mënyra për të kthyer oborret e shkollave të Tiranës në mjedise parqesh të gjelbra dhe të adaptueshme me klimën.
Nën drejtimin e organizatës jo fitimprurëse vendase “Qendra Marrëdhënie” me financim të Bashkimit Europian përmes programit Europa Kreative, kjo nismë që do të rikonceptojë hapësirat e asfaltuara dhe gri brenda oborreve mund të shtrihet në shumë shkolla nëse rezulton e suksesshme për banorët e zonës. Trajtimi i shkollave si “parqe” kërkon jo vetëm një ndryshim në mentalitet por ndryshim edhe në mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Bashkia e Tiranës ka nënshkruar për këtë qëllim kontrata me shoqata sportive brenda shkollave, shpesh nën drejtimin e figurave të shquara të sportit dhe mësuesve me përvojë të gjimnastikës, të cilët përdorin hapësirat e palestrave dhe ofrojnë kurse sportive kundrejt një pagesë modeste. Me fonde të kufizuara për facilitetet rekreative, kjo skemë nxit numrin e regjistrimeve në këto kurse dhe mbështet njëkohësisht mirëmbajtjen dhe riparimet në objekte pa rënduar buxhetet ekzistuese të shkollave.