Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot gjatë aktivitetit në Universitetin Politeknik në Tiranë, për prezantimin e mbështetjes së BE-së për arsimin në Shqipëri se, BE ka mundësuar investimin e 75 milionë eurove për rehabilitimin e më shumë se 60 institucioneve arsimore.

Soreca në fjalën e tij apeloi studentët për t’u vaksinuar.

“Ministrja e shprehu shumë qartë dhe me elokuencë faktin që është shumë e rëndësishme që studentët janë rikthyer në auditorët e Universiteteve dhe dëshiroj të them të njëjtën gjë si ajo që duhet vijuar me vaksinimin. Është kritike, është shumë e rëndësishme. Është kyçe që të mos ndalohet vaksinimi sepse mendojmë që në këtë formë gjërat do të shkojnë ashtu siç duhet. Dhe ju duhet të merrni pjesë në këtë plan që gjërat të vazhdojnë më së miri, që ju të vazhdoni të jeni në këto auditore dhe që të merrni arsim cilësor”, tha Soreca.

Soreca tha se mënyra më e mirë për të investuar paratë e tatimpaguesve evropianë është të investohet tek rinia.

“Politikat që kanë të bëjnë me rininë dhe fuqizimin e rinisë, në fakt kanë qenë prioritet për mua që kur kam mbërritur në Shqipëri përpara 3 vitesh dhe angazhimi me të rinjtë përgjatë këtyre viteve ka qenë në vijimësi”, tha Soreca.

“BE dhe shtetet anëtare të BE-së e kanë kuptuar rëndësinë e të investuarit tek të rinjtë dhe tek arsimimi juaj në Shqipëri, sepse kjo është porta e mirë për t’iu afruar ju me BE-në, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shqipërisë. Duke iu dhënë ju ndërkohë kohë për t’u angazhuar, për t’u lidhur me kolegët tuaj dhe për t’u fuqizuar më tej”, theksoi Soreca.

“BE është në fakt donatori më i madh në Shqipëri, së bashku me shtetet anëtare të BE-së. Mesatarisht BE i jep Shqipërisë çdo vit 100 milionë euro. Duke dhënë kështu një kontribut për shndërrimin e të gjithë sektorëve të vendit, jo vetëm të arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, antikorrupsionit, transportit , sigurisë ushqimore, mbrojtjes së mjedisit etj”, u shpreh Soreca.

“Ky investim”, shtoi ambasadori Soreca, “gjatë 15 viteve të shkuara ka arritur shifrën 1.5 miliardë euro në grante, që do të thotë donacione, të falura. Këto të ardhura që kanë ardhur nga BE-ja dhe vendet anëtare, duke ndërtuar infrastruktura madhore në Shqipëri, duke përmirësuar transportin, lidhjen ndërmjet qyteteve në Shqipëri, duke avancuar më tej bujqësinë, zhvillimin rural dhe duke arritur standardet e duhura mjedisore”.

Duke folur për fushatën “Evropa është këtu”, Soreca tha se “kemi zgjedhur ta fillojmë me arsimin, pasi për ne ky sektor është tejet i rëndësishëm”.

Soreca përmendi programet e ndryshme si Erasmus+, “një program me anë të të cilit ne kemi arritur që më shumë se 8 mijë qytetarë shqiptarë të përfitojnë prej tij. Erasmus+ gjithashtu ka lidhur, profesorët, studentët me profesorët dhe studentët nga BE. dhe ju e kuptoni çdo të thotë integrim evropian. Integrimi i Shqipërisë po ndodh çdo ditë me anë të programeve të tilla si Erasmus+, pasi me anë të këtyre programeve po ndërtohen urat e bashkëpunimit ndërmjet jush”.

“Muajin e shkuar programi Erasmus + u lançua për periudhën 2021-2027, por me një dyfishim të buxhetit dhe buxheti tashmë ka arritur në 26 miliardë euro. Kjo për t’’iu treguar se sa i rëndësishëm është për ne arsimi”, tha ai.

“Një aspekt tjetër i rëndësishëm i asistencës së BE-së për Shqipërinë është ajo që ne e quajmë mbështetja jonë për trajnimin dhe arsimin profesional. Gjatë 10-vjeçarit të fundit, më shumë se 30 milionë euro janë investuar nga BE në Shqipëri, për ta shndërruar tërësisht sistemin e arsimit profesional”, tha Soreca.

Ambasadori përmendi edhe programin BE-ja për Shkolla. “Një program shumë i rëndësishëm që mundëson investimin e 75 milionë euro për rehabilitimin e më shumë se 60 institucioneve arsimore”, theksoi Soreca.

“Tërmeti ka qenë një përvojë e tmerrshme për të gjithë, por u kthye në një mundësi për të ndihmuar ato shkolla, të cilat në fakt janë përmirësuar dukshëm. Asistenca e BE ka mundur që të prekë jetën e më shumë se 40 mijë nxënësve, fëmijëve dhe mësuesve, të cilët përfitojnë nga ky program me anën e parimit “Rindërtojmë më mirë së bashku”, përfundoi ai.