Presidenti amerikan, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, ku u fol edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në bisedë me presidenten Von der Layen, Biden ka shprehur ”përkrahje të fuqishme”për vazhdimin e procesit të qasjes së vendeve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Liderët e BE-së dhe të Ballkanit do të takohen nesër që të bisedojnë për anëtarësimin e ardhshëm të gjashtë vendeve ballkanike: Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë.

”Pritet deklaratë nga mbledhja, ku do të konfirmohet se BE-ja e garanton anëtarësimin e ardhshëm të gjashtë vendeve”, deklaruan dje dy përfaqësues të lartë të BE-së. Vendet e pasura në veri të BE-së druajnë nga përsëritja e qasjes së përshpejtuar të Rumanisë dhe Bullgarisë në Union, në vitin 2007, dhe migracioni i keqmenaxhuar i punëtorëve nga Evropa Lindore në Britaninë e Madhe, shkaktoi që shumë britanikë të jenë kundër BE-së, njoftuan mediet perëndimore.