Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 700,000 persona të vdekur me koronavirus, prej shpërthimit të pandemisë. Kjo shifër është afërt me numrin e banorëve që ka kryeqyteti amerikan, Uashington, apo qyteti tjetër, Boston.
Kjo shifër është raportuar më 1 tetor, derisa autoritetet shëndetësore amerikane regjistrojnë rreth 1,900 viktima në ditë me këtë virus. Megjithatë, numri i personave të infektuar në valën e tretë të pandemisë, ka nisur të zvogëlohet në periudhën e fundit.
Numri i rasteve të reja arrin në rreth 112,000 në ditë, për dallim nga 116,000 sa ka qenë në fillim të muajit shtator. Mesatarja ditore e personave të shtrirë nëpër spitale është 79,000 mijë apo rreth 20,000 më pak sesa muajin e kaluar.
Me një popullsi prej rreth 330 milionë banorësh, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave në botë me këtë virus, duke tejkaluar Brazilin dhe Indinë.
Në gjithë botën, nga koronavirusi kanë vdekur rreth 5 milionë persona, ndonëse shifrat reale besohet se janë më të mëdha. I nxitur nga varianti tejet ngjitës Delta, virusi vazhdon të përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara, sidomos në zonat ku shkalla e vaksinimit është e ulët.
Prej nisjes së fushatës së vaksinimit në muajin dhjetor të vitit të kaluar, 65 për qind e personave që mund të imunizohen–nga 12 vjeç e tutje – janë vaksinuar plotësisht.
Rreth 76 për qind e tyre kanë marrë të paktën një prej dy dozave të nevojshme. Vlerësohet se rreth 70 milionë amerikanë mbesin të pavaksinuar, çka mundëson përhapjen e virusit.
Në përpjekje për të mbrojtur personat më të moshuar dhe ata më të rrezikuar, për shkak të shqetësimeve të zbehjes së efektit të vaksinave pas një kohe, autoritetet amerikane kanë nisur të ofrojnë vaksina përforcuese për gati 60 milionë persona që u përkasin këtyre kategorive.
Pavarësisht infektimeve edhe pas vaksinimit, ekspertët shëndetësorë kanë thënë vazhdimisht se vaksinat janë shumë efektive në parandalim të shtrirjes në spital dhe vdekjes.
Shumica e personave të sëmurë rëndë apo edhe të vdekur me këtë virus, kanë qenë së fundmi të pavaksinuar. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka lëshuar urdhër muajin e kaluar për vaksinim të të gjithë punëtorëve federalë dhe kontraktorëve të tjerë, në mënyrë që të mund të punojnë.
Një tjetër urdhër do t’iu kërkojë kompanive me më shumë se 100 punëtorë që të kenë stafin të vaksinuar apo që ata t’iu nënshtrohen testimeve javore për koronavirus.
Tentimi i fundit për të rritur shkallën e vaksinimit ka ardhur nga Kalifornia, autoritetet e së cilës e kanë bërë vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë studentët.