Cristiano Ronaldo tha se do t’ua mbyllë gojën kritikëve të tij dhe atyre që “nuk duan ta shohin”. Portugezi e bëri këtë në një intervistë ekskluzive për “Sky Sports”. Kthimi i tij te “Djajtë e Kuq” u përshëndet me bujë dhe 6 golat e periudhës së tij të dytë në “Old Trafford” kanë rezultuar të rëndësishme.

Në sezonin e 20-të si profesionist, dëshira e luzitanit ende do të fitojë si në fillimet e karrierës: “Unë e di kur skuadra ka nevojë për ndihmën time në mbrojtje. Roli im në klub është të fitoj, ta ndihmoj skuadrën të fitojë dhe të shënoj gola. Pjesa mbrojtëse nuk është pjesë kryesore e punës sime.

Njerëzit që nuk duan ta shohin këtë është sepse nuk më pëlqejnë, por të jem i sinqertë, jam 36 vjeç dhe fitoj gjithçka. Sidoqoftë, nuk shqetësohem për njerëzit që thonë gjëra të këqija për mua. Unë fle mirë natën, shkoj në shtrat me ndërgjegjen time të pastër. Do të vazhdoj kështu, sepse dua t’ua mbyll gojën të gjithëve.

Kritika është gjithmonë pjesë e këtij biznesi, megjithatë nuk shqetësohem për këtë. Dhe e shoh si një gjë të mirë të jem i sinqertë. Nëse shqetësohen për mua ose flasin për mua, kjo është sepse e dinë potencialin dhe vlerën time në futboll”.