Violinisti shqiptar Olen Cesari u dekorua nga Presidenti i Republikës Italiane si “Commendatore dell’Ordine della Stella d’Italia”. Ky titull i është akorduar këtij artisti me përmasa botërore nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella dhe i është dorëzuar artistit durrsak nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomatë.
E pranishme në këtë ceremoni ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila u shpreh se, “jemi shume krenarë për Olenin, artistin virtuoz, një nga violinistët më të mëdhenj botërorë si dhe interpretues absolut i cili e ka lartësuar emrin e Shqipërisë në çdo skenë ku ka jehuar tingulli i tij”. Edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e pranishme në këtë ceremoni tha se, “ne të gjithë jemi krenarë që një nga instrumentistët më të mirë botërorë, me vlera të rralla, i konsideruar si kompozitor eklektik dhe virtuoz në violinë dhe një artist i jashtëzakonshëm, Olen Cesari, ngre lart emrin e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë në skenat ndërkombëtare”.
Olen Cesari konsiderohet si një nga violinistët më të mëdhenj në botë. Kompozitor eklektik dhe virtuoz i violinës, ai është një artist i jashtëzakonshëm. I lindur në Durrës ai u diplomua në moshën 14 vjeç në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në moshën 17 vjeç u diplomua me nderime nga Santa Cecilia (deri më sot ai është violinisti më i ri me një diplomë në historinë e konservatorit romak) dhe vitin tjetër në Mozarteum në Salzburg.
Cesari ka luajtur në tempujt e mëdhenj të muzikës botërore, nga teatri i lashtë i Taormina në Wiener Konzerthouse në Vjenë, nga Carnegie Hall në New York në Auditorium Parco della Musica në Romë, nga Teatri Le Palace i Parisit në Teatromonumental RTVE në Madrid.