Bashkia Dibër ka bërë bashkë 160 fermerë në Festën e të Vjelave në qytetin e Peshkopisë.
Qyteti i Peshkopisë u përfshi sot nga një atmosferë festive me eventin Festa e të Vjelave, në edicionin e 16-të, e ndërthur mjaft bukur me performanca artistike-kulturore të grupeve pjesëmarrëse në Oda Dibrane.
Rreth 160 fermerë, dhe jo vetëm, u bënë bashkë duke ekspozuar në stendat e vendosura përgjatë bulevardit “Elez Isufi” produktet më të mira dibrane bio si mollët, arrat, gështenjat, rrushin, prodhimet e bulmetit, mjaltin, jufkat, gatimet tradicionale, punime artizanale, e shumë e shumë të tjera.
Kryetari i bashkisë së Dibrës, Shkëlqim Murrja hapi aktivitetin me fjalën e tij përshëndetëse për pjesëmarrësit, fermerët dhe qytetarët. Festa u përshëndet edhe nga deputeti i qarkut Dibër Lavdrim Krrashi, prefekti i qarkut Nexhbedin Shehu, përgjegjësi i Sektorit të Ekstencionit Bujqësor Dibër Qatip Doda, drejtoresha Ekzekutive e ALCDF Lindita Manga, si dhe drejtori i NOA sh.a Peshkopi, Çlirim Leshi.
Aktiviteti zgjatet përgjatë 3 ditëve kur në bulevard vendosen tendat për ekspozimin e produkteve bujqësore, blegtorale, si dhe gatimeve apo punimeve tradicionale të zonës.
Ndër produktet më kryesore në këtë panair janë: mollët, dardhët, ftonjtë, arrat, prodhime blegtorale si djathi dhie apo deleje, mjaltë, raki e llojeve të ndryshme, ëmbëlsira të shumëllojshme, turshi, pastërma, jufka etj.