Dallimi në futboll ndonjëherë është te numrat dhe koha. Le të fillojmë që këtej për të shpjeguar startin e shkëlqyer të Edin Dzeko, i cili tashmë është në kuotën e 6 golave në 7 javët e para të kampionatit. Tri të dhëna për të kuptuar “ndërmarrjen” e boshnjakut: në të gjitha Serie A të fundit, ai kishte shënuar 7 gola, prandaj me 31 ndeshje (potencialisht) për të luajtur është -1 gol nga barazimi i sezonit 2020-2021.
E dyta: debutuesi i fundit i Interit që realizoi 6 gola në 7 ndeshjet e para të Serie A ishte Ronaldo në sezonin 1997-1998. E treta: sezonin e kaluar, pas javës së 7-të, Lukaku kishte shënuar 5 gola dhe mbi të gjitha Interi i Contes kishte fituar 12 pikë, 5 më pak se ky i Inzaghit.
Ka shumë merita Inzaghi në fillimin “rrufe” të Dzeko. Trajneri nga Piacenza e donte shumë dhe “vuri bast” mbi boshnjakun. Ai dhe Martinez u morën vesh me sy mbyllur që nga dita e parë, duke u bërë dueti startues në sulmin zikaltër. Correa, të cilin Simone e kishte edhe te Lazio, deri më tani ka qenë një alternativë e vlefshme. Në dy ndeshjet e Serie A, të luajtura nga minuta e parë (kundër Bologna dhe Sassuolo) nuk ka ndikuar.
Edin dhe “Toro”, nga ana tjetër, praktikisht nuk humbën asnjë shans për të shënuar. Për boshnjakun, 6 golat janë paraqitja e dytë më e mirë në karrierën e tij, në sezonin e shtatë të kampionatit italian. Ai kishte nënshkruar më shumë gola vetëm në 2017-2018, me fanellën e Romës, kur arriti 7 gola në kaq javë kampionati, ndërsa ishte ndalur në 6 gola me Manchester City, në sezonin 2011-2012. Me pak fjalë, bomberi nga Sarajeva ka gjetur një mënyrë për të ndaluar kohën. Edhe Martinez, gjithashtu po bën shumë mire. Penalltia në Reggio Emilia ishte goli i tij i 5-të në 6 ndeshje të luajtura. Starti më i mirë që kur ka zbarkuar në Itali. Në Serie A, asnjë duet nuk ka shënuar më shumë se ata.