Gazetari i njohur, Artjan Tepelena është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare si pasojë e Covid-19. Artjan Tepelena kontribuoi me punën e tij si gazetar, pedagog i gazetarisë, ndërsa ka qenë kryeradaktor në RTSH, drejtor i lajmeve në TV Alba dhe së fundmi ishte pjesë e TV Scan. Mësohet se ai ishte i shtruar në një nga spitalet Covid në kryeqytet për një muaji, ndërsa lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur familjarët e tij. “Dikur kur isha i vogël, nuk kishte lumturi më të madhe për mua se kur të shihja që më merrje nga kopshti…Vite më pas, nuk kishte moment më të bukur se sa kur më prisje në aeroport…Sot, më pret aty ku edhe në ëndrrën më të keqe nuk do ta kisha duruar…Vellai im i madh, idhulli im, gjaku im, familja ime, krenaria ime, dhimbja ime me e madhe – Artjan Tepelena, për të gjithë miqtë e njerëzit që të kanë njohur, të kanë dashur, të kanë respektuar…U prehsh në paqe!”, ka shkruajtur vëllai i tij në rrjetet sociale. Ndërkohë, për lajmin e trishtë ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, i cili thotë se Tepelena do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër konformizmit në profesion.
Reagimi i plotë i Metës: Trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të mirënjohur Artjan Tepelena, i cili humbi sot betejën me COVID-19. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe komunitetit të gazetarëve! Me kontributin e tij të gjatë dhe të pazëvendësueshëm në media, Artjan Tepelena do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër konformizmit në profesion. Të prehet në paqe!