Sipas të dhënave të provave klinike të Fazës së 3, Pfizer është 95,6 efektive në dozën e tretë, përfshirë edhe variantin Delta. Kreu i BioNTech, Ugur Sahin, tha se këta “elementë të rëndësishëm” vërtetojnë se një dozë përforcuese është efektive ndaj virusit.

Ai shtoi: “Bazuar në këto gjetje, ne besojmë se, së bashku me qasjen e gjerë në vaksina për të gjithë botën, dozat përforcuese mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rikthimin në normalitet.”

Në studim morën pjesë 10,000 persona, të cilët ishin vaksinuar me të dy dozat e vaksinës Pfizer, gjysma e tyre u zgjodhën rastësisht për të marrë një dozë shtesë dhe gjysma tjetër placebo. Intervali midis dozave të dyta dhe të treta ishte afërsisht 11 muaj. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 53 vjeç, me pak se gjysma që i përkisnin grupmoshës 16-55 vjeç. Më shumë se një e pesta ishin mbi 65 vjeç, një kategori në rrezik më të madh nga Covid. Analizat nga nëngrupe të ndryshme, treguan se efektiviteti relativ ishte “i njëjtë” pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, kombësia ose faktorë të tjerë.

Është vërtetuar gjithashtu se vaksina Pfizer / BioNTech është efektive tek adoleshentët, sipas një studimi të ri izraelito-amerikan.