Grup të strukturuar i quan Presidenti Erdogan ambasadorët e 10 shteteve të cilët i kërkuan lirimin e Osman Kavalës i cili mbahet në burg me akuzën e organizimit të protestave në parkun Gezi në Stamboll. “Deklarata nuk ka lidhje me një person apo një çështje të caktuar. Kanë si qëllim goditjen e e pavarësisë dhe gjyqësorit të vendit tonë. Ashtu siç shkruhet në Kushtetutë, sistemi i gjyqësorit i Turqisë nuk merr urdhëra nga askush. Kështu që nuk kemi si të pranojmë urdhërat e një grupi të strukturuar ambasadorësh”.
Presidenti turk nuk kurseu akuzat për shtetet të cilët përfaqësoheshin nga ambasadorët e dëbuar. “Ata që flasin vijnë nga shtete që përkrahin terrorizmin dhe grushtet e shtetit. Përdorin standarde të dyfishta. Janë ata që heshtin përballë krizës së refugjatëve në rajonin tonë. Nuk shikojnë ato që ndodhin në shtete të tyre dhe nuk flasin për njerëzit që vriten ndërsa miliona qytetarëve nuk u respektohen të drejtat. Janë shtete që nuk njohin kufij, të drejta dhe edukatë”.
Erdogan paralajmëroi edhe diplomatë të tjerë se do të dëbohen nëse bëjnë të njëjtin veprim. “Besojmë se ambasadorët që ndodhen në vendin tonë tashmë do të jenë më të kujdesshëm kur të flasin për të drejtat e njeriut. Ata që nuk respektojnë popullin dhe pavarësinë tonë nuk e meriton që të jetë në këtë shtet, kushdo qoftë ai”. Në lidhje me këtë rast ambasada amerikane në Ankara shprehu shqetësim dhe keqardhje për veprimin e Ministrisë së Jashtme turke dhe i kërkon Turqisë që të respektojë marrëveshjen e Vjenës dhe të drejtat e njeriut.