Efektivët e Forcës Ajrore trajnohen për sistemin e komunikimit Tokë-Ajër-Tokë.
Sistemi i radio-komunikimit Tokë-Ajër-Tokë ka mbledhur në një trajnim 4 javor personelin ndërlidhës të Komandës së Forcës Ajrore.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi teksa përshëndeti efektivët në Bazën Ajrore të Farkës, kërkoi prej tyre të mësojnë sa më shumë nga ky trajnim, pasi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen, për të mbajtur gjatë gjithë kohës në funksion këtë sistem.
“Unë vetëm një kërkesë kam që, pasi të konfigurohet ky sistemi i komunikimit tokë-ajër-tokë, të jetë 100% efektiv siç e kemi planin në dhjetor. Të mësojmë sa më shumë nga ky trajnim dhe të jemi aftë ta mirëmbajmë, ta update sa herë të jetë e nevojshme, ta bëjmë upgrade kur të vijë koha me burimet tona, jo të presim gjithmonë kontraktonin”, tha ai.
Në fjalën e tij, ministri Peleshi tha se një sistem i tillë është i nevojshëm, veçanërisht në kohë emergjencash civile, në përmbytje, gjatë periudhës së verës kur ka vatra zjarri, ndaj vuri theksin te ndërtimi i kapaciteteve të brendshme.
Ky sistem komunikimi Tokë-Ajër-Tokë synon mbulimin mbarëkombëtar në lartësinë 150 m mbi lartësinë e tokës, të 95% të territorit.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Komandanti i Forcës Ajrore, Kolonel Ylli Pulaj.