3 rrjetet sociale, në pronësi të Mark Zuckerberg, Facebook, WhatsApp dhe Instagram pësuan një ndërprerje totale të shërbimit në të gjithë botën për më shumë se 6 orë. Kompania ka bërë me dije se shkak ishte një ndryshim i gabuar i konfigurimit, e ndërsa shtuan se ky ishte “dështimi” më i madh që kishin parë ndonjëherë me 10.6 milion raporte problemesh në të gjithë botën.

Facebook tha se ndryshimi i gabuar i konfigurimit ndikoi në mjetet dhe sistemet e brendshme të kompanisë, të cilat e bënë shumë të vështirë zgjidhjen e problemit. Ajo që është ngritur në pikëpyetje, nisur edhe nga akuzat e shumta që kanë ardhur në drejtim të kompanive të Mark Zuckerberg, është se “se sigurta janë tashmë të dhënat tona, për të gjithë përdoruesit e këtyre mediave sociale”. Në përgjigje të kësaj, kompania theksoi se “nuk ka asnjë provë që të dhënat e përdoruesve ishin komprometuar si rezultat i kësaj ndërprerjeje”.

Themeluesi i Facebook u ka kërkuar falje të gjithëve. ” Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger po kthehen në normalitet. Na falni për ndërprerjen sot – e di se sa mbështeteni në shërbimet tona për të qëndruar të lidhur me njerëzit për të cilët kujdeseni”, tha ai.

Postimi i Mark Zuckerberg pas rikthimit në punë të rrjeteve sociale. Disa kompani konkurrente nuk i kanë kursyer ironitë. “Përshëndetje dhe gëzuar të hënën”, shkruan Twitter. Kjo ndërprerje totale vjen në një kohë kur 37-vjeçarja Frances Haugen ka hedhur sulme të forta në drejtim të Facebook. Në një intervistë për mediat, ajo rrëfeu se dha dorëheqjen këtë vit nga kompania pasi i kishte ardhur në majë të hundës me të, por kopjoi një sasi të mirë informacioni të brendshëm përpara largimit. Haugen i ndau me “Wall Street Journal”, të cilët kanë mbi tre javë që publikojnë materialin “Facebook Files”.

Në to thuhet se Facebook i qasej ndryshe të famshmëve, politikanëve dhe përdoruesve të profilit të lartë të këtij rrjeti social. Mbi ta aplikoheshin politika të moderuara, në ndryshim nga njerëzit e thjeshtë. Më pas, u shtua dokumenti që provonte se Instagram po ndikonte në shëndetin mendor të adoleshentëve duke krijuar një mjedis toksik për ta dhe se kompania ishte e vetëdijshme. Deri më tani, Facebook i ka mohuar të gjitha akuzat duke i përgënjeshtruar ato.