Fjala më e kërkuar në motorin e kërkimit të Bing nga Microsoft është Google, ka deklaruar Google. Sipas BBC, përcjell Telegrafi, pretendimi u bë në gjykatë, pasi Google bëri kërkesën e tij për të apeluar kundër një gjobe prej 4.3 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian për abuzim me fuqinë e saj në treg.
BE-ja akuzoi Google kinse kjo kompani ka përdorur suksesin e Android në tregun e smartfonave për ta bërë Google motorin e paracaktuar të kërkimit. Por Google iu është kundërpërgjigjur se shërbimi i tij është më i njohuri.
“Ne kemi paraqitur dëshmi që tregojnë se pyetja më e zakonshme e kërkimit në Bing është deri tani, ‘Google’”, tha avokati Alfonso Lamadrid në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së. “Njerëzit e përdorin Google sepse e zgjedhin atë, jo sepse janë të detyruar ta përdorin”, ka shtuar ai.