“Foltorja” e Berishës dhe “Vetting”-u i politikanëve i Bashës, ishin dhe mbetën kryefjala e gjithë debateve dhe bisedave të javës që shkoi. Përplasja mes tyre, po arrin pikën kulmore, ku njëri që akuzon “je bërë ortaku i Ramës”, dhe tjetri që ka nisur të kundërpërgjigjet “do të spastrojmë llumin e tranzicionit”. Sfida për Sali Berishën mbetet largimi i Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike, por edhe sfida e këtij të fundit mbetet beteja me ish-kryetarin që për ironi të fatit, po mbush sallat e takimeve me “foltoren”.

Duke dëgjuar mbështetësit e Berishës dëgjon se “foltorja ka sjellë një klimë të re në parti, po sjell ndryshimin e pritshëm, dhe se mund të sjellë edhe rikthimin në pushtet të PD”. Por sa e mundur mund të jetë një nismë e tillë nga një ish-kryetar i shpallur “non-grata” nga partneri ynë kryesor SHBA ? Në fakt kjo ka zero shanse të ndodhë, pra rikthimi i asaj partie në pushtet me Berishën kryetar, por gjithsesi “foltorja” po shëtit në gjithë vendin, dhe duket se po zbraz anëtarësinë e Bashës.

Por gjithsesi “foltorja” e Berishës duhet thënë se, nuk spikat aspak në drejtim të asaj ç’ka deklaron ish-kryetari si “frymë e re demokratike në parti, debate të hapura, hapje të partisë”, etj. Sali Berisha ka deklaruar se “sfidoj Lulzim Bashën, do të mbledh Këshillin Kombëtar, dhe do të rivendos demokracinë e brëndshme në PD”, gjë e cila bie ndesh me atë ç’ka ndodh me foltoren, ku shprehen zemërata, inatet dhe mllefet personale vetëm ndaj Bashës.

Të gjitha këto konsiderohen si shkelje statutore, por që miratohen nga Sali Berisha me thirrje dhe brohoritje. Rreth ish-kryetarit “non-grata” shihen emra dhe figura të cilët përfaqësojnë frymën regresive dhe intolerante të Partisë Demokratike.Të inatosur me Bashën për moskandidim për deputet, apo mosdhënie postesh brënda partisë, ata i janë bashkuar Berishës, duke shpresuar në rikthimin e tij “triumfues” në PD. Foltorja e Berishës nuk ka shanse të sjellë as ribashkimin dhe as demokratizimin e asaj partie, pra është një shans i humbur që edhe pse ish-kryetari e di fare mirë, nuk mungon ta çojë deri në fund marrëzinë e nisur.

Nga ana e tij, pas një periudhe të gjatë heshtje, edhe Basha ka nisur të kundërpërgjigjet, duke e nisur jo me kundërakuza ndaj “babait politik”, por me propozime dhe amendamante në Parlament. Si fillim ai, ka deklaruar se “PD do të propozojë Vetting për politikanët, duke synuar largimin e llumit të tranzicionit nga politika”. Kuptohet, “shigjeta” e parë është nisur ndaj Sali Berishës, dhe pastaj edhe ndaj atyre që e shoqërojnë në “foltoren” e tij, por gjithmonë duke u shprehur me rezerva, dhe pa përmendur emra.

Nismat e Lulzim Bashës, të cilat ai i quan si “aksione opozitare”, synojnë njëherësh ç’izolimin nga ndërkombëtarët të Partisë Demokratike, afrimin me njerëzit, me të zhgënjyerit e bazës, rikonceptimin e ideve të reja politike, dhe krijimin e një modeli të ri përfaqësues në elektorat. Eshtë momenti që Lulzim Basha,të krijojë shansin për një forcë dhe model politik konkurrues, bazuar në institucione, përtej retorikave dhe shpërthimeve që sjell “foltorja” në salla të mbyllura. Ajo që ka nisur brënda Partisë Demokratike, mund të quhet “një luftë e ftohtë” mes asaj ç’ka përfaqëson Berisha dhe asaj që kërkon Basha, nga e cila do të varet fati i asaj force politike.