Nga Edison Ypi/
Ka ca kohë, dikush që edhe po t’ja mbaja ment emrin nuk meriton t’ja shkruaj këtu, në tentativë për të thënë diçka se si duhet të jenë ministrat e sotëm shqiptarë, solli shembullin e Vaso Pashës që kishte arritur të bëhej Guvernator i Libanit.
Nuk dimë asgjë mbi cilësinë e qeverisjes së Libanit nën hyqmin e bashkatdhetarit tonë që “dha një kontribut të shquar në Rilindjen kombëtare” por pothuaj tërë jetën e kaloi me ofiqe nga më të lartat në shërbim të Italisë dhe Turqisë. Figurën e tij, shqiptarët e asociojnë vetëm me një vjershëz folklorike, monotone. moralistike, lotndjellëse.
Një tjetër shqiptar, Mbreti Faruk i Egjiptit, ishte një hajdut i përbindshëm, një korrupsionist dhe abuzivist me rekorde të frikshme të njohura botërisht.
Faleminderit moralistit që na tmerroi duke na sjellë shembullin e Vaso shkodranin, dhe jo të Faruk faqeziut, se do na kishte luajtur mendsh.
Si duhet të jenë ministrat tanë, është problem që i ka munduar qysh herët ata që Shqipërisë nuk ja kanë me hile.
Tears ago, gjatë viteve ’90 pasi barraka diktatoriale ishte shembur, mbetën ca që nuk muar arratinë nëpër male apo nuk u ngjitën mbi tragete, por ndejtën.
Këtyre që mbetën, ngaqë j’u duk herët për të vdekur, me sytë e ibyrur nga drita e Lirisë dhe me mendje të turbullt, nisën të thurin plane për të ardhmen.
E varën shpresën kryesisht te çunat dhe gocat që vajtën për të studjuar në Perëndim nëpër shkolla serioze për tu paisur me dije, për të mësuar profesione, për të sjellë dhe përshtatur në vendin e vet diturinë, disiplinën e punës, vullnetin, qytetërimin, humanizmin.
Një prej të paktave raste që këto pritshmëri i realizoi me sukses, është Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca.
Si arrita ta veçoj si të tillë kur nuk e njoh aspak, nuk e kam takuar kurrë ?
Në fakt unë kurrë nuk kam takuar as Shekspirin, Tolstoin, Pushkinin, Henry Fordin, Tomas Edisonin, Winston Churchillin, por megjithatë i adhuroj.
Më shkruaj një paragraf të të them cili je !
Frida, sythi i kudondodhur me perspektivë të ndritur në qeverisjen e sotme, përveçse po mbjell, po korr, prashit e vadit, ka nxjerrë nga milli shpatën e tekstit, po shkruan më së miri.
Frida zgjedh çdo fjalë, mendon çdo presje, studjon çdo tingull.
Teksti i Fridës s’ka asgjë të tepërt, asgjë të mangët.
Teksti i Fridës është tekst i përsosur.
Aq bukur, aq mjeshtërisht, aq besueshëm, se e shpreh dhe e përcjell Frida punën e vet, lodhjen e vet, detyrën e vet, sa, lexo tekstin e kursyer të Fridës, ke lexuar Fridën.
Me mënyrën se si i thur fjalët, Frida të mbërthen. Nuk të le asnjë shteg të dyshosh se çka po të thotë është apo s’është ajo çka po mendon, dhe çka po mendon është apo s’është ajo që po të thotë.
Aq mjeshtërisht e bën Frida këtë, sa edhe lexuesin më dyshues dhe më djallëzor, e rrëmben, e çarmatos, e mahnit, e mpin, e nguros si Circja Odiseun.
Teksti i përsosur i Fridës nuk ësht qëllim në vetvete, nuk është tekst për tu pëlqyer vetëm si tekst.
Teksti i Fridës, përveçse i këndshëm e i bukur, është së pari tekst përmbajtësor, tekst për të përcjellë një mesazh, tekst i kuptueshmërisë së padyshimtë.
Para Fridës Shqipëria ka pasur të tjerë ministra bujqësie. Por me sukses të pjesshëm. Dikush ka ditur të bëjë mirë një gjë, tjetri një gjë tjetër.
Frida arrin ti bëjë të gjitha në perfeksion, dhe, çka është veçanërisht e rëndësishme, pa u mburrur.
Si ja arrin të ketë gjithë këtë sukses, Frida nuk e thotë. E konsideron mburrje. Ta vrasësh nuk e tregon.
Puna është nder – thonë.
Frida s’ka lidhje me atavizma propagandistike për dembela dhe parazita.
Për Fridën puna nuk është as nder as turp.
Për Fridën puna nuk është dasëm, nuk është aheng, nuk është muhabet duke ngrënë gështenja të pjekura e duke rrëfyer meselera rreth mangallit. Puna është punë. Puna është mjet mbijetese, lodhje, sakrificë, për të gjithë pa përjashtim.
Tek libri “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, ku Rilindasi vizionar flet për ardhmërinë e Shqipërisë, mes tjerash, thotë se për tua mësuar bujqëve shqiptarë sekretet e bujqësisë së përparuar, Shqipërisë i duhen 3 agronomë. Një për Shqipërinë e mesme, një tjetër për Shqipërinë e veriut, një i tretë për Shqipërinë e jugut.
Ta kishte njohur Sami Frashëri Fridën do kishte ndërruar mendje dhe do qortonte veten. Do thoshte se Shqipërisë nuk i duhen 3 nikoqirë të bujqësisë, por vetëm 1, Frida Krifca.
Kisha kujtu se budallenj që mahniten pas katundeve, u merren mentë nga madhështia e maleve, u ndalet fryma para ujvarave me shkumë, u lagen sytë mes fushave të mbjella, dehen para detit të serave, në Shqipëri ishim vetëm 2, unë dhe Majlinda Bufi e Roskovecit.
Qënkësha gabuar.
Është dhe tjetra.
Ajo që punon me energji bërthamore dhe lëviz me shpejtësi drite, Frida Krifca.