Deputeti i PD, Bujar Leskaj ka bërë një lapsus në fjalën e tij në Kuvend, ku ngatërroi mbiemrin e kolegut të tij Helidon Bushati me Helidon Halitin. Ndër të tjera, i tha ministres Ballukut që do t’i shkojnë deri në fund tunelit të Llogarasë pasi zgjodhën ofertën më të lartë. Ndërsa Balluku i tha se mund ta çojnë kur të duan në SPAK se dosjet janë transparente, ndërsa shtoi se ofertën e parë e refuzuan sepse nuk plotësonte dokumentat.

Bujar Leskaj: Ministria e Infrastrukturës për tunelin e Llogarasë zgjodhi ofertën më të lartë 170 milionë euro dhe me të drejtë deputeti i Shkodrës Helidon Haliti, Haliti është piktor, ndjesë Helidon Bushati e denoncoi këtë fakt duke paralajmëruar për kallëzimin penal për 12 milionë euro. Më vjen mirë që këtu është dhe ministrja, dua t’ju kujtoj deputetë që në mars të vitit 2021 ky prokurim, ministria, autoriteti përgjegjës ka refuzuar një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një kompanie turke nëse do bëjmë këtë llogari. PD dhe të gjithë ne deputetët e Vlorës do i shkojmë deri në fund.

Balluku: Nëse PD ka në plan ta çojë në SPAK, le ta çojë. Si qytetar duhet të jeni të lumtur që do të ndërtohet tuenli i zonës tuaj ku dhe keni konkurruar. Duhet të jeni më i saktë kur akuzoni pasi thatë që në tenderin e parë, nuk plotësonte dokumentat. Dhe në detyrën që keni qenë, së pari kontrollonit dokumentat. Kur nuk ka asnjë lloj letre, duhet ta japim thoni ju? Unë mendoj që jo. Vlerësimi është me pikë dhe vlerësohet pjesa e parë që ka të bëjë me eksperiencat e mëparshme. Dosjet janë transparente dhe mund t’i dërgoni në SPAK.