I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën, nënkryetari i PD-së Alfred Rushaj, komentoi situatën e brendshme politike të Partisë Demokratike, përplasjet mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha si edhe për përjashtimet e bëra në PD.
Rushaj theksoi se politika e brendshme e opozitës nuk është në ditët e saj më të mira, por sipas tij të gjithë palët e përfshirë kanë të njëjtin prioritet, atë të demokratëve, duke shtuar se kundërshtari i vërtetë i PD-së është kryeministri Edi Rama.
I pyetur për përplasjet politike mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të partisë Demokratike , Lulzim Basha, Rushaj tha se Berisha mbetet një lider historik. Sa i përket vendimit të Berishës për të shpallur datën për Kuvendin Kombëtar, nënkryetari i PD-së e vlerësoi si pjesë të axhendës së Berishës dhe se nuk sheh asnjë garë për kryetar, pasi kryetari i PD-së është zgjedhur tashmë.
Sa i përket përjashtimeve të bëra kryetari Basha, Rushaj theksoi se Flamur Noka nuk është përjashtuar sepse ka pasur mendime të kundërta me Bashën, por sepse ka deformuar deklaratat e bëra nga kreu i opozitës.
“Është larguar nga pozicioni i zv/kryetarit jo se ka shprehur mendime të kundërta me z.Basha por sepse në mënyrë të përsëritur, ka deformuar ato çfarë Basha ka thënë në mbledhje, dhe këtë e ka bërë me një qëllim që s’kanë të bëjnë me divergjencën e mendimeve të njëri apo tjetrit. Ai as nuk është larguar as përjashtuar”, tha Rushaj.