Hugo Lloris ndjen ajrin e… trofeut. Prandaj, dëshiron ta marrë atë në duar (Ligën e Kombeve), siç ndodhi në Rusi me Kupën e Botës më 2018. Gjithashtu, sepse rruga për të arritur ta ngrejë trofeun është në disa mënyra e ngjashme. Gjysmëfinalja e kampionatit të fundit botëror luhet përsëri. Si përfundoi në vitin 2018 dueli mes Francës dhe Belgjikës, që vihet sërish në skenë sonte, për Ligën e Kombeve, e mbajnë mend mirë të gjithë.
Duke folur për Kupën e Botës, Lloris gjithashtu mban një qëndrim në lidhje me mundësinë për t’u luajtur çdo dy vite, sipas projektit që ka hartuar FIFA. Përgjigjja e tij është “Jo”. Pra, është kundër ndryshimit të periodicitetit actual, Botërorit çdo 4 vite, me Kampionatin Europian në mes.
Portieri francez nuk beson se ndeshja e mbrëmjes së sotme mund të jetë përsëritje e gjysmëfinales së Botërorit të Rusisë: “Duke lëvizur nëpër formacione, gjithmonë ekziston dikush i ndryshëm. Ajo që nuk ka ndryshuar, nga viti 2016 e në vazhdim, është se Belgjika dhe Franca kanë qenë gjithmonë favoritë. Me sa duket kemi një bazë me cilësi shumë të lartë.
Ne e dimë se çfarë na pret, duhet të jemi në kulmin e një ndeshje të madhe futbolli. Franca, megjithatë, ka rigjetur veten. Lojtarët kanë fituar ritmin dhe qetësinë, edhe sepse merkatoja është mbyllur. Ndiej energji pozitive në ajër, ekziston vetëdija për të ngritur në duar një trofe tjetër”.
Një test i shkëlqyer, duke marrë parasysh finalistët, në funksion të Botërorit të Katarit pas një viti: “Niveli i këtyre kombëtareve gjysmëfinaliste është shumë i lartë. Unë mendoj se elita e Evropës është e pranishme. Nuk do të jetë një Kupë Bote, as Evropian, por gjithsesi mbetet diçka e rëndësishme”. Duke folur për Kupën e Botës, Lloris duket se ka ide mjaft të qarta në lidhje me të:
“Unë e di se ideja për të shkurtuar kohën midis një Kupe Bote dhe një tjetre është duke u shqyrtuar. Nuk i kam të gjitha detajet për të vendosur, por mund të flas për përvojën time. Unë besoj se një Kupë Bote duhet t’i mbajë ato karakteristikat që e kanë bërë atë të veçantë gjatë viteve.. Për mua një Kupë Bote duhet të luhet çdo katër vite.
Jam rritur kështu, me pritjen për ta parë atë të luhet në kësi distancash kohore. Nëse ata vendosin të ndryshojnë, ne do ta marrim parasysh, por shpresoj që vendimet të merren për futbollin dhe lojtarët. E fundit; në çdo rast, fjala i takon autoriteteve përgjegjëse për të vendosur”.