E ardhmja e Mauro Icardi vazhdon të jetë e pasigurt. Mbërritja e Messit në Paris ia ka ngushtuar hapësirën e aktivizimit më shumë ish-kapitenit të Interit. Argjentinasi kërkon më shumë kohë për të luajtur dhe një rol kryesor në skuadër, gjë që ka pak mundësi ta ketë. Për ekspertët e “Sisal Matchpoint”, në fakt, lamtumira e tij nga “Parce des Princes” është e paevitueshme.
Madje, pritet të ketë një derbi krejt italian për të rrëmbyer shërbimet e Icardi. Juventusi, siç raporton “Agipronews”, ishte në gjurmët e qendërsulmuesit në merkaton e fundit. Edhe tani mbetet i interesuar për një profil që do të pasuronte një repart në rindërtim, pas lamtumirës së Ronaldos.
Interes të madh ka edhe nga Milani për argjentinasin, me kuqezinjtë në kërkim të një sulmuesi të vërtetë për zonën e penalltisë, duke pasur parasysh përparimin e pashmangshëm të moshës së Zlatan Ibrahimovic, 40 vjeç. Në sfond, edhe pse më i izoluar, është Tottenham, me Fabio Paratici, drejtori i ri sportiv i “Spurs”, admirues i Maurito që nga koha e golave të parë italianë të tij me Sampdoria.