Dani Alves e ka përfunduar aventurën e tij në Brazil. Më 16 shtator i dha fund bashkëpunimit me San Paolo. Tashmë, pa kontratë, ai është në kërkim të një ekipi që do ta lejojë të vazhdojë karrierën e jashtëzakonshme. Braziliani 38-vjeçar është kthyer në Barcelonë dhe, sipas “Mundo Deportivo”, e kishte vendosur klubin katalanas në krye të listës së preferencave.

Dani Alves postoi një fotografi në rrjetet sociale ndërsa pinte kafe në një bar në zonën e sipërme të Barcelonës dhe uronte një mëngjes të mirë për ndjekësit e tij. Tifozët u tërbuan, duke i kërkuar atij që të kthehej për të veshur fanellën Blaugrana. Mirëpo, sipas asaj që u raportua nga gazeta spanjolle, klubi ia mbylli dyert një rikthimi të mundshëm, duke vazhduar politikën e rifreskimit të skuadrës, e cila filloi me rinovimin e Pedrit deri në vitin 2026.