Fidan Aliti, mbrojtësi i Kosovës, ka folur për FFK-në para ndeshjes me Suedinë. Ai ka thënë se ‘Dardanët’ janë përgatitur në maksimum për të dhënë më të mirën në fushë të shtunën mbrëma në Suedi.
“Moti ishte pak i vështirë, por ne si futbollistë jemi mësuar të stërvisim edhe në këso kushte. Madje, mendoj se kjo ka qenë një përgatitje e mirë për Suedi, ngase edhe atje na pret një mot i tillë. Kësaj radhe kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme për neve dhe besoj se secili prej neve është 100 përqind i gatshëm për lojë”, deklaroi mbrojtësi i Kosovës.
“Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kemi luajtur para “Dardanëve” dhe normalisht se çdo herë ndjehemi krenar kur luajmë para tyre. Një falënderim i madh shkon për ata, ngase vazhdimisht na përkrahin kudo që shkojmë. Njëjtë do të jetë edhe në Suedi dhe besoj se edhe ne do t’ua bëjmë një dhuratë me rezultat pozitiv”, u shpreh Aliti.