Drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike, Ergys Verdho, në një intervistë për emisionin E-ZONË ka deklaruar se sasia e rezervës hidrike që ndodhet në kaskadë garanton prodhimin e energjisë deri në fund të muajit janar.
Sipas tij, pritshmëritë janë që duke hyrë në një sezon dimëror me reshje shiu, prurjet gjatë muajit nëntor dhe dhjetor pritet të rriten, duke rikthyer optimizmin për një garantim me furnizimin me energji elektrike.
‘Me këto nivele që kemi aktualisht, ne shtyjmë prodhimin e energjisë deri në fund të muajit janar. Në skenarin më të keq, nëse do të vijojmë me këto prurje, pra pa reshje. Por, duke iu referuar të dhënave, mesatarja shumëvjeçare tregon që nëntori parashikohet të ketë mbi 150-200 m3/s, dhjetori 250-300 m3/s dhe kjo do të çonte që Fierza t’i rikthehet niveleve prej 280 metrave në fillim të janarit’, u shpreh Verdho.