Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot Ambasadoren e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq. Ambasadorja Barsacq e uroi Kryetaren Nikolla për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit dhe shprehu vullnetin e Francës për të vazhduar e intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë. Marrëdhëniet politike midis Francës dhe Shqipërisë janë shumë të mira. Deklarata e Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Francës, nënshkruar në mars 2017, përbën dokumentin më të rëndësishëm të nënshkruar midis dy vendeve.
Bashkëpunimi midis të dy vendeve përfshin mjaft fusha si drejtësia, çështjet e brendshme dhe sigurisë, mbrojtja, energjia, bujqësia, qeverisja vendore, administrata publike etj. Interesi i kompanive franceze për të investuar në Shqipëri ka ardhur në rritje. Bashkëpunimi parlamentar është gjithashtu intensiv, i konkretizuar në shkëmbimet e shpeshta të parlamentarëve të të dy vendeve. Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Politika e jashtme e Shqipërisë është qind për qind në koherencë me politikën e jashtme të BE-së. Ne kemi përmbushur pesë prioritetet, kushtet e Bundestagut gjerman si edhe kushtet e Këshillit të Marsit 2020 dhe jemi gati të ulemi në Konferencën e parë
Ndërqeveritare me BE, brenda vitit 2021. Metodologjia e re e rishikuar e zgjerimit duhet të vlerësohet si një hap i ri për të ruajtur e mbështetur progresin e integrimit në BE të rajonit, veçanërisht hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë. Procesi i integrimit në BE bazohet në meritat e çdo vendi, duke bërë kujdes që të mos pësojë krisje nga qëndrimet e ndonje vendi anëtar. Përsa i përket Kuvendit, me opozitën si pjesë aktive tij, unë do të bëj të mundur lehtësimin e bashkëpunimit për reformat dhe shërbimin ndaj qytetarëve. ” Kryetarja Nikolla vlerësoi edhe angazhimin e Francës dhe të Presidentit Macron në Ballkanin Perëndimor si edhe në nxitjen e mbështetjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Ambasadorja Barsacq u shpreh se Ambasada do të vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin ndërparlamentar dhe intensifikimin e kontakteve midis deputetëve të të dy vendeve. Ajo e informoi Kryetaren Nikolla edhe mbi qëndrimin më të fundit të Francës në favor të mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare brenda vitit 2021.