Deputeti i PD-së, Luan Baçi ka reaguar pas lajmit se ai nuk do të jetë më në krye të degës së PD në Fier dhe se në vend të tij është emëruar Agron Kapllanaj. Pasi ka zhvilluar një mbledhje urgjente me kryesinë e PD në Fier, Baçi tha për mediat se atij nuk i ka shkuar asnjë njoftim zyrtar për shkarkimin.
Ai shprehet po ashtu se ka zhvilluar mbrëmë një takim me kryedemokratin Lulzim Basha, ku i është kërkuar dakordësia për komandimin e dikujt tjetër, dakordësi të cilën shprehet se nuk e ka dhënë.
“Nuk kam asnjë lloj njoftimi për shkarkimin apo emërimin e dikujt tjetër. Dje pata një takim me Bashën ku më kërkoi që të jap mbështetjen time për dakordimin komandimin e dikujt tjetër, pa më dhënë asnjë arsye. I thash nuk jap dakordësi në këtë drejtim pasi nuk shikoj ndonjë problematikë te dega demokratike e Fierit, një degë që ka dhënë rezultate të mira. Unë jam i prirur për lëvizje, për mbajtjen e përgjegjësisë dhe jam i hapur që dega e PD Fier të bëhet më e mirë, me prurje të reja. Por në një situatë të tillë tollovie në anëtarësi, një veprim i tillë është i nxituar. Në mëngjes u ndodha para faktit ku mediat jepnin lajmin për shkarkimin tim dhe emërimin e dikujt tjetër. Mblodha kryesinë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që kishin. Duhet ët ketë ndryshime te kryetarë e degëve dhe më lart, por ndryshimi duhet të vijë në bazë të statutit, me zgjedhje. Nuk jam tifoz as me Bashën as me Berishë, PD është një parti që kryetarët ndërrohen ndërsa unë jam me PD. Unë jam për respektimin e statutit. Lëvizjet brenda PD i bëjnë mirë partisë. Nuk kam marrë pjesë në bërjen e listës së deputetëve. Mbrëmë më thirri Basha për një takim. Jam kundër procedurës si veprohet dhe si funksionon. Komandimet, emërimet nuk janë asnjëherë rezultative. Unë e mirëpres lënien e vendit të kryetarit të degës, jam pro lëvizjeve, kam dy mandate si kryetar i degës, ka resurse që dega Fier të ketë kryetar të mirë, por kjo del me votën e Kryesisë jo me emërime bërje qokash. Ky është problemi. Vendimet e pa mbështetura në statut që nuk marrin miratimin e kryesisë, na sjellin çrregullime dhe na çojnë në humbje pas humbje. Keqardhje që ne po merremi me veten tonë pas 25 prillit dhe jo me denoncimin e problemeve në vend. PD ka nevojë për një rithemelim, një ringritje për të qentë fortë përballë një armiku që ne kemi, Edi Ramës”, tha ai.