Legjenda e Liverpoolit, Graeme Souness, e ka quajtur Mohamed Salahun lakmitar dhe e ka përshkruar atë si lojtarin më egoist që e ka parë ndonjëherë. Salah është njëri prej sulmuesve më frytdhënës në futbollin evropian që prej se iu bashkua Liverpoolit më 2017, pasi i ka shënuar 139 gola në 214 paraqitje për klubin nga Merseyside.

Katërmbëdhjetë prej tyre i ka shënuar vetëm këtë sezon, gjë që e ka shtyrë trajnerin Jurgen Klopp ta lartësojë egjiptianin si lojtarin më të mirë në botë. Por Souness e ka dhënë një vlerësim tjetër për Salahun në një kolumnë të shkruar për The Times.

“Pajtohem me Jurgen Kloppin që Salah është lojtari më i mirë në botë këtë sezon”, shkroi Souness. “Ai është mbase lojtari më lakmitar që e kam parë. Të gjithë lojtarët e mëdhenj e kanë një element të lakmisë por Salah është tejet egoist”, shtoi ai.

“Synimet personale janë të rëndësishme për të dhe ai gjuan në portë nga çdo kënd i mundshëm, gjë që i mllefos bashkëlojtarët e tij, posaçërisht Sadio Manen. Lojtarët e tjerët pajtohen sepse ai është shumë i mirë”, nënvizoi ai.

Salah shënoi het-trik për t’i ndihmuar Liverpoolit ta turpërojë 5:0 Manchester Unitedin të dielën në Old Trafford. Ai e dha edhe një asist te goli i parë i të kuqve, i shënuar nga Naby Keita