Nga Ylli Pata/
Përveç aksionit të “protestave massive” që ka shpallur Lulzim Basha sot në selinë e PD-së, ka dy narracione të tjera paralele që gjallojnë në ambjentin politik shqiptar, duke lënë jashtë në këtë rast fenomenin e “Foltores”. Aksioni i protestave që vijojnë për çështjen e energjisë, fermerët, punëtorët, apo edhe të tjerë që mund të organizohen, janë aksione realisht natyrale të një shoqërie.
Nëse opozita, përveç mbështetjes i udhëheqë ato, jo vetëm që nuk ka gjë të keqe, por është edhe një qartësi më e madhe e një beteje që një opozita ka të drejtën, e madje edhe detyrën ta drejtojë e kanalizojë. E rëndësishme në këtë rast, është që opozita, jo thjesht t’i marrë seriozisht duke ngrysur vetullat, siç bën Lulzim Basha para selisë blu e në Parlament, ku buzëqeshjen e tij tashmë të njohur, e ka harruar, por të përgatisë një platformë, një strategji, siç i thotë “Evropi”(sipas Arjan Çanit)-“Road-Map” të betejës së saj opozitare. Protestat duhet të kenë kërkesa, të shoqëruar me argument e natyrisht, duhet t’i adresojë ato në mënyrë realiste, për të marrë një përgjigje edhe nga qeveria.
Përballja le të bëhet edhe e fortë, e zjarrtë, por gjithmonë sipas rregullave demokratike. Nëse qeveria nuk do të plotësojë kërkesat që mund të plotësohet, ajo do të marrë koston në takimin e parë elektoral që palët do të jenë. Ky është thelbi i një përballje në një system alternance që kemi vendosur që nga viti 1990. Megjithatë, protestat e shpallura, duhet lënë koha të ndiqen e të analizohet. Ajo që të bie në sy është rikthimi i narracionit të legjitimimit në bazë të fuqizë që shqiptarët i dhanë aktorëve politikë më 25 prill.
Ky narracion ka dy anë: atë që e shprehu Çani në intervistë me Edi Ramën se ai nuk ka më shumë se 35 mijë vota më shumë se opozita e nuk duhet të krekoset, e ai që e thotë Gjekmarkaj, por edhe të tjerë aktorë të opozitës që elektoratin që voton Edi Ramën e quan primitive, “skllav” jot ë logjikshëm e militant, e “demokratët” e tyre i quajnë të lirë, që votojnë kë duan dhe nuk dalin me urdhër, por thjesht se ua thonë idealet.
Tek logjika e “35 mijë votave më shumë” situata është pak më ndryshe. PS ka 145,947 vota më shumë se koalicioni i Lulzim Bashës më 25 prill. Nëse i shtohen votat e LSI-së, PS ka 38,409 vota më shumë. Pra afërsisht 4 deputetë, çka ështrë realisht mazhoranca parlamentare e Edi Ramës.
Nuk diskutohet që rikuperimi i 250 mijë votave opozitare nga PD më 25 prill është një arritje shumë e rëndësishme, e kjo është hapi i parë i hyrjes së opozitës në sistem. Nuk ka diskutim që këto vota janë shprehje e lirë e një vullneti të njerëzve që nuk e duan Edi Ramën, qeverinë e mazhorancën e tij. Këtë aset , Basha duhet ta administrojë me një seriozitet maksimal, që tregon realisht forcë politike. Opozita është një fuqi, në momentin kur i tregon njerëzve që i kanë kërkuar ta përfaqësojë, që e administron siç duhet këtë potencial. Kjo fuqi është dhënë për të përfaqësuar kundërshtimin, por më shumë është dhënë për të shpalosur alternancën, që është mundësi që opozita të bëhet mazhorancë. Për tu bërë mazhorancë, Lulzim Basha duhet të ulë diferencën prej 145 mijë votash me socialistët.
E thelbi i kësaj shifre është humbja në radhë të parë në Tiranë, e natyrisht në Durrës e Elbasan. Sulmi i kreut të sotëm të qarkut të PD-së së Lezhës, me votuesit e PS-së, vetëm se ai është në krye me votuesit e Laçit e Mamurrasit, nuk se i japin një fuqi morale e intelektuale, edhe sikur i gjithë elektorati i Mamurrasit të ketë lexuar të gjithë veprën e Konicës, që siç thotë vetë Noli i madh që Gjekmarkaj e ka inat, kurrë nuk arriti ta botojë të plotë. Basha mund të bëjë shumë protesta, që në fakt janë shumë të rëndësishme për shoqërinë, të sulmojë, të akuzojë, të denoncojë këdo që është votuar për të qeverisur vendin. Thjesht duhet të mendojë, se nesër nëse do të qeverisë vendin duhet të marrë votat e atyre që më 25 prill kanë votuar Edi Ramën…