Nga Ylli Pata/
Skenat e mbrëmshme e të sotme; nga Maqedonia e Veriut dhe e Kosova, ku liderë të ndryshëm opozitarë gëzohen për fitoren e tyre në qytete të ndryshme, apo qenien në balotazh në disa të tjerë, me shumë gjasa kanë futur në depresion Lulzim Bashën.
Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku, krerët përkatës të PDK-së dhe LDK-së, kanë arritur të konfirmojnë lidershipin e tyre vetëm 6 mujor me fitore të rëndësishme. Në Maqedoninë e Veriut, kreu i VRMO-së, partisë që u fundos 4 vjet më parë me Gruevskin, duke humbur të gjitha qytetet, ka shpallur fitoren mbrëmë, ngaqë kandidatja e tij është e para në Shkup, por edhe ka fituar disa bashki të tjera. Një nga liderët opozitarë shqiptarë sërish në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela, doli me buzëqeshje në buzë para mediave për fitoret e partisë së tij në Gostivar e Dibër, e ka folur për mundësi në Strugë e qytete të tjera ku është në balotazh.
Zgjedhjet, janë realisht mekanizmi thelbësor për një parti politike që justifikon jetën e tyre, konfirmon idetë, e natyrisht me zgjedhjen e njerëzve të saj, nis të ndërtohen hallkat e zinxhirit të lidhjes së saj në territor. E Lulzim Basha, i cili erdhi në krye të PD-së në 2013-n, pësoi një humbje të rëndësishme në zgjedhjet vendore të 2015-s, duke humbur së pari Tiranën që e linte si kryebashkiak me vetëm një mandat. Megjithatë Partia Demokratike arriti të marrë 15 bashki, njëra prej të cilëve e madhe si Shkodra, dy të tjera “të mesme” si Pogradeci e Lezha, e të tjera pak më të vogla si Kukësi, Tropoja, Vora, Mallakastra, Përmeti e Këlcyra etj. Pra pati një shtrirje nga veriu në jug, ku mund të llogariste më pas një zgjerim të hartës politike.
Por çfarë bëri Lulzim Basha katër vjet më pas? I çoi të gjitha në djall, duke bojkotuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, pas një tjetër veprimi spektakolar e të padëgjuar botërisht siç ishte djegia e mandateve. Një vendim i PD-së dhe LSI-ë së bashku, si dhe aleatëve të vegjël, që mori menjëherë kundërshtimin e Perëndimit, qarqeve më të larta të Uashingtonit, Berlinit apo Brukselit. Atë vendim, PD-ja kishte mundësi ta zbuste, edhe pas veprimit të menjëhershëm të Kuvendit dhe KQZ-së për të zëvendësuar deputetët që dogjën mandatet nga listat rezervë të këtyre partive. PD-ja mund t’i kishte njohur si deputetë të sajët, e mbi të gjitha Basha nuk do të duhej të bënte aktin fatal, tentativën për të penguar zgjedhjet lokale së bashku me pengimin e tyre.
I gjithë ky aksion i fortë e absurd, që u kundërshtua nga ndërkombëtarët e rëndësishëm, partnerët e Shqipërisë, u përkrah madje me zjarr nga një grup i rëndësishëm zërash publikë, të cilët e konsideronin bojkotin e zgjedhjeve lokale: “një masë ekstreme por të domosdoshme”. Që nga Bushati te Lubonja, Shkullaku e mjaft të tjerë zëra që janë të njohur si kritikë të fortë të Kryeministrit Edi Rama, përkrahën kursin radikal të opozitës, madje edhe duke përshëndetur një reagim agresiv, deri edhe të dhunshëm me mjete “jo konvencionale”, siç është përdorimi i armëve të zjarrit etj. Thelbi i gjithë kësaj loje, ishte që opozita nuk mund të hynte në një betejë për ca bashki, por o duhet t’i merrte të gjitha pushtetet, o asnjërin. E kështu i dhanë njerëzve që përkrahin opozitës një narracion sipas të cilit, edhe mund të arrihet me shantazh tek rrëzimi i Edi Ramës.
E natyrisht si të ushqesh këtë iluzion, njerëzit që përkrahin opozitën shpresojnë se mund të realizohet ëndrra e rikthimit të PD-së në pushtet, siç e ëndërrojnë. E kur kjo nuk u bë realitet, këta shpresonin tek një betejë tjetër më të fortë për ta rrëzuar në vjeshtën e 2019-s. Por siç dihet ra tërmeti, botën e kaploi pandemia e më pas erdhën zgjedhjet e 25 prillit që dihet si shkuan. Por sot, këtë zëra që kanë nxitur e ushqyer revolucionin, ku zërat më të fortë kanë qenë Sali Berisha e Ilir Meta, e kjo mund të rikujtohet lehtë nga deklaratat e tyre, sot janë kundërshtarë të egër të Lulzim Bashës. Këta zëra përkrahin fort Foltoren e Berishës dhe duan përmbysjen e Lulzim Bashës, ku përdorin si argument të paaftësisë së kreut të PD-së edhe djegien e mandateve apo bojkotin e zgjedhjeve të 2019-s.
Por përpara kësaj, ushqyen edhe idenë e përsëritjes së zgjedhjeve lokale njëherë në vjeshtë, e njëherë në pranverë, por që pas opinionit të fundit të Komisionit të Venecias, edhe ky iluzion u shkri si kripa në ujë. Teza të tilla megjithatë mund të lindin ditë pas dite, por që Lulzim Basha, por edhe përkrahësit e gjerë të opozitës kanë kafshuar gjuhën, duke parë skenat nga Kosova e Maqedonia e Veriut, kur homologët e tyre i gëzoheshin fitoreve në bashki të ndryshme të vendit. Këtë ndjenjë, por edhe realitet të pazëvendësueshëm politik, mund ta kishte përjetuar edhe PD-ja dy vjet më parë, e të mos dëgjonte zërat që sot kërkojnë kokën e Lulit.