Komisioni për Ekonominë dhe Financat nën drejtimin e kryetarit Eduard Shalsi miratoi kalendarin e veçantë për shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022”, si dhe Aktin Normativ “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet “Pfizer export b.v”. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me Aktin Normativ nr. 3, të Këshillit të Ministrave”.
Akti normativ u prezantua në komision nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila sqaroi se ndryshimi i tekstit të marrëveshjes së miratuar më herët nga Kuvendi synon shtimin e sasisë së dozave të vaksinave antikovid, por pa u ndryshuar çmimi dhe kushtet e lëvrimit të tyre.
Manastirliu sqaroi komisionin se deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur mbi 2.400.000 vaksina dhe janë aplikuar mbi 1.800.000 vaksinime me 1 dhe 2 doza. Ministrja informoi deputetët se brenda dhjetorit të vitit 2021, pritet që sasia e dozave të vaksinave të arrijnë mbi 3 milionë doza vaksinash, çka krijon gjithë mundësinë për të rritur mbulesën vaksinale të qytetarëve. Deputetja Blerina Gjylameti në cilësinë e relatores sqaroi se projekt-akti ka efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit, të cilat janë parashikuar dhe do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.
Duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekt-akti për marrjen e masave për përballimin e situatës së pandemisë së krijuar nga COVID-19, Gjylameti ftoi deputetët ta miratojnë aktin normativ në fjalë. Në përfundim të diskutimeve, komisioni miratoi projekt-aktin në fjalë me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje./