Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se arritja e objektivave të Bashkimit Evropian (BE) për zvogëlimin e emetimeve, që shkaktojnë ngrohjen globale, do të jetë një punë shumë e vështirë. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, e miratuar dhjetorin e kaluar, siguron një plan për uljen e emetimeve të gazit me 55 për qind gjatë kësaj dekade dhe për t’u bërë neutral ndaj karbonit në bllokun evropian deri në vitin 2050. “Unë parashikoj se do të jetë punë shumë e vështirë për të miratuar këtë Marrëveshje të Gjelbër”, tha Merkel. “Unë nuk do të jem më atje, por do të shikoj nga afër sa larg shkon aftësia për të bërë kompromis”, shtoi ajo, para audiencës në Caceres të Spanjës, ku mori Çmimin Evropian “Carlos V” nga Mbreti Felipe VI.

Ajo bëri thirrje për ndryshime në mënyrën se si trajtohen çështjet e klimës. Duke iu referuar përmbytjeve vdekjeprurëse në Gjermani korrikun e kaluar, Merkel tha se “njerëzit flasin shumë shpesh për kostot e mbrojtjes së klimës dhe shumë pak për koston e dështimit për të mbrojtur klimën”. Çmimi “Carlos V” u ndahet personave, organizatave ose projekteve që ndihmojnë në rritjen e “vlerave kulturore dhe historike të Evropës”. Fituesit e mëparshëm përfshijnë politikanen feministe evropiane, Simone Veil, ish-kancelarin gjerman, Helmut Kohl dhe ish-udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev.