28 Tetor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e ndërgjegjsimit të qytetarëve për vaksinimin ndaj COVID19, ka publikuar mesazhin e antropologut të njohur, prof. Përparim Kabo.

Prof. Kabo shprehet se është e dhimbshme kur nga kjo jetë ikin njerëzit e afërt për shkak të virusit COVID-19.
“Në kushte të rrezikimit të jetës, ti kupton se sa vlerë ka jeta, pse duhet ta duash atë. Se e rëndësishme është jeta jote por sa e rëndësishme është dhe jeta e të tjerëve. Sa e dhimbshme është që nga kjo jetë ikin ata me të cilët ke bashkëjetuar dhe të vriten nga virusi”, thotë Kabo.

Duke vënë theksin tek vaksinimi, Kabo shprehet se mes hamendjes dhe shkencës, zgjedh shkencën.

“Njeriu dhe vaksinimi janë një simbiozë sepse fëmija sa lind, sa del nga fetusi i nënës vaksinohet. Mes hamendjes dhe shkencës, unë zgjedh shkencën. E kundërta, ata që thonë mos u vaksino, nuk sjellin argumenta shkencorë, sjellin argumenta hamendësor, sepse ata thonë do ta shikoni çfarë do ndodh pas 1 viti e gjysëm ose pas 2 vjetësh. Kjo është hamendje. Duhet ti besosh shkencës, njerëzve që merren me këtë punë”, thotë në mesazhin e tij Kabo.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për të rritur me tej sensibilizimin për rëndësinë e vaksinimit ndaj COVID-19.