Nga Plator Nesturi-
Në kulmin e luftës së brendshme në PD, gjendet koha për iniciativa ekstra partiake dhe kjo në kushte normale do të shkaktonte të qeshura. Vështirë të mendohet se grupin e ngushtë rreth Bashës e shqetëson më së tepërmi pastërtia morale e politike e deputetëve të ardhshëm sesa buçimat për dorëheqje që vijnë nga Foltorja. Kjo do të ish njësoj si diskutimi i drejtuesve të kishës në Kostandinopojë që bënin debat për seksin e engjëjve ndërsa hordhitë otomane kishin rrethuar qytetin. Megjithatë kjo po ndodh.
Basha ka gjetur një frymëzim të ri dhe kjo është çështja e Vetingut. Duket se me këtë sikur e ka hedhur pas shpine kryqëzatën e nisur nga Berisha dhe se fokusimi është përqëndruar në parlament nëpërmjet iniciativave konkrete. Në fakt po ndodh e kundërta. Lëvizja e Bashës për të krijuar një iniciativë nëpërmjet amendamentesh po rezulton më tepër se kaq përderisa Foltorja është shqetësuar për këtë nismë. Edhe dje, Berisha nga Berati e akuzoi Bashën se me nismën e vetingut po i bën një nder Ramës, pasi vetingun e politikanëve po ia lë në dorë SPAK, që sipas tij kontrollohet nga kryeministri.
Diçka e shqetëson ish liderin e PD-së nga çfarë po ndodh. Pasi kjo nismë për vetingun që u lançua si një gjetje e rastit për t’iu larguar trysnisë së Foltores, tashmë vetë Berisha po i vete pas çështjes së vetingut me shqetësimin se mos jetësohet. Pas kësaj, duket se dhe Berisha dhe grupi i tij janë vënë në pozicion hezitues pas ofensivës së këtyre javëve. Por a është vënë në barazpeshim konflikti i brendshëm në PD pas iniciativave të fundit? Pas trysnisë së parë që po bëhej ndaj Bashës, pavarësisht stepjes së tij në media, sidoqoftë brenda PD pati goxha lëvizje të forta. Kështu shumë mbështetës së Berishës, që nga Noka, Bylykbashi, apo Baci u spostuan nga postet drejtuese dhe thuajse kanë statusin e personit non grata në PD. E gjithë kjo, e shoqëruar dhe me iniciativat e amendamenteve, duket se ka krijuar një avantazh për kryetarin e PD dhe që mund të shënojë dhe fillimin e përfundimit të lëvizjes Berisha.
Por dhe kjo, pak rëndësi ka. PD është luftë por ajo çfarë ka më rëndësi është jo se kush do të jetë fitues në një përballje Basha- Berisha, por si do të vejë më tej fati i PD. Në këtë aspekt nuk mund të flitet se ka një hapje apo katarsis të PD. Pra, nuk kemi ndonjë reformë që po zhvillohet në PD, por luftë midis dy kampesh. Në këtë luftë thjesht ka ftesa që dhe kundërshtarë të dikurshëm tu bashkohen radhëve për të luftuar një kundërshtar të përbashkët. Ndaj nuk mund të themi se ka një hapje. Për shembull, në foltoren e tij Berisha nisi të miklojë deri Agron Shehun, një rival i Bashës për kreun, por që vetë Shehu u tregua kritik dhe ndaj vetë Berishës gjatë fushatës së tij. Po ashtu Basha mund të jetë i dëshiruar të ofrojë gjithkënd që ka larguar më parë veç për të patur aelat kundër Berishës.
Sidoqoftë Berisha e ka mbyllur ciklin e tij, sado që këtë betejë e ka për të kënaqur sedrën e vet dhe se fuqia që mund të tregojë me bazën e PD mund ti garantojë një marrëveshje lehtësuese. Ndërkohë Basha, si i rritur nën hijen e Berishës, nuk e ka patur të nevojshme të ndjekë karrierën e politikanit që rritet duke dëshmuar karizëm përpara elektoratit. Ai u katapultua në krye dhe daljet e tij për të takuar qytetarët kanë të imponuara vetëm gjatë fushatave elektorale. Ndaj në përballjen me Berishën, në këtë fazë të parë kur beteja ish thjesht në salla të mbyllura me anëtarë, Berisha ka një avantazh.
Por vijimi i betejës do të jetë në kryeqytet, në grupin parlamentar dhe këtu janë raportet e vërteta të pushtetit real. Për shumë arsye pjesa më e madhe e deputetëve nuk mund ti bashkohen Berishës ndërsa në kurriz ka damkën nga Departamenti i Shtetit. Këtë e di dhe vetë Berisha që po shtyn kohën e përplasjes nëpërmjet takimeve nëpër rrethe nga ku kërkon të ushtrojë presion. Këtë e kupton edhe vetë Basha që në këto ditë ka shtuar zërat kundërshtues ndaj Berishës dhe ndjekësve të tij, duke dëshmuar më siguri në atë çfarë deklaron.
Së fundmi, çështja e vetingut dhe e amendamenteve, pavarësisht se mediatikisht reklamohet si iniciativë politike e një opozitë të përgjegjshme që nuk toleron pushtetin e skajshëm të mazhorancës, në vetvete është thjesht një manovër që i shërben betejës së brendshme që ndodh në PD. Realisht, ai që u tremb nga vetë fjala veting në politikë ishte Berisha dhe kjo ka ndryshuar në mënyrë të papritur balancat.
Ose përmendja e termit veting nga Basha ishte mesazh në kod ndaj ish mentorit të tij për dosjen që ka, ose vetë Berisha ndjen peshën e frustrimit nga një lëvizje që mund të bëjnë bashkarisht Rama dhe Basha nëpërmjet amendamentit në fjalë për ta dëmtuar më rëndë seç e ka pësuar. Pavarësisht dilemave, beteja në PD duket se do të vijojë më gjatë, porse kur të dyja palët kanë fuqi pothuaj të njëjtë, telendisja do të ndihet në të dyja krahët. /Fjala.al/