Po punohet për një plan afatgjatë për një shtëpi të re për Cirkun Kombëtar për artistët dhe publikun.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti pas prishjes së ambienteve të Cirkut Kombëtar.
“Në këto momente të vështira për artistët e Cirkut Kombëtar, jemi pranë tyre jo vetëm si përkrahës, por edhe në gjetjen e zgjidhjes për vijimin e aktivitetit artistik. Teksa po vijojmë luftën në aspektin ligjor, në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit do të sigurojmë një hapësirë për zhvillimin e proceseve aq të nevojshme për ta, stërvitjes dhe studiove për edukimin e brezit të ri”, shprehet Margariti.
Ajo thekson se si në rastin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, edhe në rastin e Cirkut Kombëtar do të arrijmë t’ia dalim mbanë.
“Përveç hartimit të plani afatshkurtër, që puna e tyre të mos ndërpritet, por të vijojë jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, po punojmë për një plan afatgjatë për një shtëpi të re për artistët dhe publikun. Jam besimplotë se ashtu si në rastin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, edhe në rastin e Cirkut Kombëtar do të arrijmë t’ia dalim mbanë”, tha ministrja.