Nga Ben Andoni

Në epilogun e shfaqjes së tij “One man shoë”, autori e nis me një fabul tejet interesante. Paragjykimi fetar dhe më shumë se kaq stereotipet që e mbushin jetën tonë përmes shtjellimit të anektodës së një këpucari. Asokohe, në rast se fabula është e vërtetë, Mustafa Nano ishte veç fëmijë. Qysh atëherë përball një stereotip që në Socializëm do kthehet në makth për breza të tërë. Cila familje do guxonte t’i jepte fëmijës një emër klasik, që përkonte me besimin fetar, atëherë do t’i mvishte fëmijës edhe një makth më shumë. Do e tallnin mësuesit, shokët e shoqet e klasës, nxënësit dhe cilido, madje e gjen deri sot të pranishëm ngado si ngasje. Emri në Shqipëri përball status, ndaj shumëkush sot mundohet t’i vendosë emra sa më “perëndimorë” pinjollit të vet. Emrat e listuar të gatshëm në Gjendjet Civile e asaj kohe, ku dominonin emrat e krijuar si neologjizma të kohës apo masivisht ato ilirë, do të kalonin ato që familja donte t’i trashëgonte. Përmes një humori fin dhe tejet të matur, Nano e shpështjell nga këtu fillin po edhe shkakton suspansën e shfaqjes, që në parimin e “kutive kineze” do të hapen me elegancë njëra pas tjetrës. Prej këtu kalohet te gruaja-nënë, ku sërish autori e nis me përvojën familjare dhe e përcjell në ditët tona. Nëna e shtëpisë do të jetë e detyruar që në përkushtimin e saj të mbart peshën, dhunën dhe gjithçka të bashkëshortit. Nuk ka apelim, por ka bindje. Dhe, sipas një trashëgimie që lidhet me kodet zakonore, që zona të ndryshme të Shqipërisë i interpretojnë si u duhet, gruaja përkulet. Është fleksibël të pranojë një situatë absurde, duhet të mbajë familjen dhe ca më shumë ende të ruajë ekzistencën e fisit. Qoftë edhe me plumbin bashkëshoqërues si pajë!!! Dëshmitë plot humor të Nanos, por që fshehin dhimbje dhe revoltë, ndjekin me kujdes ndërrimin e kujdesshëm të mini-akteve, që përcjellin problematika jo pak të mprehta. Historike. Kulturologjike. Zakonore. Do të këlthasë, por emocioni i vet dhe shpesh herë dhe batutat që përmbajnë poshtë humorit, dhimbja… kalohen me argëtim nga publiku. Ky i fundit kënaqet dhe e grish për më tej. Shpesh hesht në heshtnajën që e përcjell dhe rregullimi i frymëmarrjes së Nanos, teksa kalon zhdërvjellët nga mini-akt në tjetrin, tregon se edhe publiku po i përjeton problematikat. Kupton se nuk mungojnë asnjëherë ata që “dokumentojnë”. Përpara kam një grua që do t’i thotë dikujt se është te shfaqja e Muçit dhe e filmon. “Ja pra, jam këtu…Po kënoqem. Ouuu!”. Dikujt i bie një zile celulari, që e shoqëron një tjetër. Muçi ndërkohë stepet pakëz dhe zgjuarsisht është hedhur te identiteti evropian ku duket se të gjitha temat e shkrimeve të veta i përmbledh në një shfaqje që të grish. Mundohet të ruajë kadencën, por edhe me logjikën e njeriut të letrave nuk do ta teprojë. Islami, Krishtërimi jepen në versionin e vet. Dhe, befas që të trandi jep një mesazh, që provokon ndjenjat por edhe forcën e shkencës së arsyes me frazën e njohur të Dekart: Cogito ergo sum. (Mendoj pra jam! ) Ai e shpjegon me mungesën e dyshimit në shoqërinë tonë dhe provokon …sepse feja nuk të jep mundësi të dyshosh. Në fakt, feja në çdo moment të bën të ngrihesh në dyshim, për atë që është e Zotit dhe atë jashtë tij. “Mos u përshtasni me këtë botë, por transformohuni me ripërtëritjen e mendjes suaj, që duke provuar vazhdimisht të dalloni se cili është vullneti i Perëndisë, çfarë është e mirë, e pranueshme dhe e përsosur”, thuhet te Romakët 12:2. A ka ndonjë lloj paragjykimi, në të gjithë atë që Mustafa Nano përcjell?! Për nihilistët patjetër: Muçit të provokon. Veçse për shumë njerëz mbetet e theksuar ajo që në fakt po provohet se është e vërtetë. Ka një hendek të madh mes nesh dhe Evropës, paçka se ne jemi pjesë përbërëse e një bote të madhe të Qytetërimit Mesdhetar, ku mendimi greko-romak është në thelb të filozofisë dhe parimeve të sotme, zhvillohej edhe në trojet tona. Ky është paradoksi që ai e shpreh në emocionin e thjesht të prindërve të tij, kur shikojnë për herë të parë një vend perëndimor. “Ne nuk do të bëhemi kurrë si ata”, nxjerr dhimbjen e t’atit shoqëruar me naivitetin e atyre njerëzve të mirë që e njohin jetën, shqiptarin dhe caqet më mirë se filozofët. Pikërisht këtë synon Nano, por shoqëruar me ironinë shpesh që jep edhe atë mosdashjen në gen të shqiptarit për ta arritur.

Dhe, pse ka kaq shumë dhunë, kur mund të ketë arsye?! Kur forca e mendimit nuk bën dot ndryshimin e vendit dhe mënyrën e jetesës dhe kur shqiptari arrin e vret si pa gjë të keq femrën, ose ca më keq, tatuazhistët e mbushur llërave me parrullat nacionaliste paradoksale, të tallin, vrasin apo t’qesëndisin, Nano ngre sërish zërin e vet të protestës, që i trand deri nënvetëdijen: Po pse vallë nuk duam të bëhemi! Imiton sikur edhe ai është gati të bëjë një polici dhune ndaj këtyre vrasëseve të mendimit të lirë. Bën në skenë një etyd sikur po rreh dikë. Veçse, si Migjeni i bie t’i biesh një gjëje që s’bzan. Nano është fare i brishtë, i pazoti dhe për këtë. Autoriteti fizik nuk është e tija… Kur befas na përcjell me një kontrapunkt në një mesazh tjetër po kaq interesant, kur “të fortë” apo njerëz të zakonshëm stepen para një figure publike. “Ah ti je Mustafa Nano?!” Po, -i thotë, duke u habitur me forcën e vet. Cilido e ka një mundësi të ndryshojë pak vendin, dikush më pak e dikush më shumë, duhet të lëvizë, nuk duhet të struken, ndaj merr përsipër të bëj dhe një gjë më shumë teksa performon i vetëm:Të deklamojë ndryshimin duke ndryshuar dhe e pranuar edhe vetë.

Mustafa Nano veç publicistikës dhe esesë është marrë dhe me krijimtari letrare dhe kudo ai ka përshfaqur mendimin dhe opinionin e tij për problemet e shumta te “Homo Albanicus”. Ngasjen më të madhe e ka me Besimet fetare dhe hipokrizinë tonë sociale por edhe interpretimet krejt “novatore” në Shqipëri e kudo, që tashmë kanë shpërfytyruar ngado. Në ndërrimin e të ashtuquajturave “kutive kineze”, metaforës me të cilën dikur Vargas Llosa i shpjegonte një shkrimtari të ri krijimin letrar, ai pak nga pak i afrohet fundit, duke të mbajtur në atë nivel suspanse, që do t’ia kishin zili shumë nga shfaqjet e sotme. Por, në një mendim personal, duke na privuar të na kthejë sërish tek ai këpucari i fillimit, që tallej me emrat e myslimanëve. Tek e fundit, ashtu si Islami klasik që është në kërkim të unitetit edhe Nano bën një flirt me spektatorin e vet. E mbyll me mesazhet dhe deklamimin, që mund t’i shërbejë kushdo, tek e fundit janë sinteza të bërë nga një njeri i letrave: Duhet të jemi bashkë e të ndryshojmë bashkë!

Nuk e shmang dot emocionin, ka pak pengesa në frymëmarrje prej ngaqë dihet se ai nuk ka mjeshtërinë e aktorit, por në fund të mbetet t’i thuash një bravo të madhe: kolegut, që guxon për diçka ndryshe. Mustafobia është tek e fundit jo thjesht stresuese, për atë që e ka pasur dhe e mbart, si koncept dhe realitet por edhe zbavitëse pa masë. A nuk është ky funksion i artit në vetvete?! (Javanews)