Nga Adriatik Doçi/
Çiftet dhe bashkëjetuesit gay nuk mund të birësojnë fëmijë. Kështu parashikon një nismë ligjore për disa ndryshme në Kodin e Familjes, depozituar në Kuvend nga qeveria që në muajin nëntor të vitit 2020, por që deri më sot nuk është planifikuar për shqyrtim dhe miratim. Për herë të parë parashikohet që mund të birësojë fëmijë një person i vetëm dhe personat që janë bashkëjetues, por vetëm sipas nenit 163 të Kodit të Familjes. Neni 163 parashikon që “Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”.
Kufizimi sqarohet edhe në relacionin e projektligjit, duke nënvizuar ‘çiftet heteroseksuale’, pra që tërhiqen nga seksi i kundërt.
“Nisur nga evoluimi i shoqërisë shqiptare drejt pranimit të bashkëjetesës jashtë martesës, nga rritja e numrit të bashkëjetesave, si edhe nga fakti që bashkëjetesa e vazhdueshme dhe e qëndrueshme e një burri dhe një gruaje njihet si formë e krijimit të familjes nga legjislacioni shqiptar, është vlerësuar nga hartuesit e këtij projektakti t’u njihet e drejta për të birësuar një të mitur së bashku edhe dy bashkëjetuesve heteroseksualë, që janë të angazhuar në një bashkëjetesë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, sipas kuptimit që neni 163 i Kodit i jep bashkëjetesës. Kjo zgjidhje është në përputhje me standardet e vendosura nga Konventa e rishikuar e KiE-së “Për birësimin e fëmijëve”, e vitit 2008. Sipas pikës 2, të nenit 7, të Konventës, shtetet janë të lira ta shtrijnë birësimin edhe për çiftet heteroseksuale që bashkëjetojnë në një bashkëjetesë të qëndrueshme. Kjo nuk është një normë detyruese e Konventës”, thuhet në relacion.
Kodi në fuqi, në nenin 242, parashikon birësimin vetëm nga personat që janë bashkëshortë. “I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë.
Birësimi i ri lejohet pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve apo pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa është paraqitur nga bashkëshorti i ri i birësuesit”.
Ndërkaq, neni 242, propozohet që të ndryshojë me këtë përmbajtje: “I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163, të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet. Birësuesi ka të drejtë të bëjë disa birësime, me akte të njëpasnjëshme. Birësuesit i jepet përparësi nëse ka birësuar vëllain ose motrën e të miturit që synohet të birësohet, nëse paraqet kërkesë për birësimin e motrave dhe vëllezërve të tjerë, ose nëse shfaq gatishmërinë për të birësuar të mitur që gjenden në kushte të vështira shëndetësore ose sociale. Kanë të drejtë të birësojnë birësuesit që kanë fëmijë biologjikë. Birësimi i ri i të miturit lejohet vetëm në këto raste: a) Pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve; b) Pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa për birësim paraqitet nga bashkëshorti ose bashkëjetuesi i ri i birësuesit; c) Nëse i mituri është birësuar nga një person i vetëm dhe kërkesa për birësim paraqitet nga bashkëshorti ose bashkëjetuesi i tij; ç) Nëse birësimi i mëpasshëm është i justifikuar nga shkaqe me rëndësi, që përligjen nga nevoja e mbrojtjes së interesit më të lartë të të miturit”.
Për ndryshimet në Kodin e Familjes ka një ndjeshmëri të lartë publike. Ditët e fundit ka sjellë reagime të forta vendosja e termave ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’ në një pyetësor, në vend të termave ‘mamaja’ dhe ‘babai’. Formulari është vënë në duart e prindërve të fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike e private në Tiranë. Bashkia e Tiranës, përmes një reagimi zyrtar, tha se i vetmi formulat që ky institucion u ka dhënë prindërve është ai i momentit të regjistrimit të fëmijëve në çerdhe apo kopshte. Formulari i mohua edhe nga Ministria e Arsimit, e cila u shpreh për Report Tv, se as në shtet as në privat nuk ka një formular të tillë që të jetë bërë nga drejtoritë arsimore, duke shtuar se rasti po verifikohet.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka publikuar një plan veprimi 2021-2027, duke vendosur si objektiv mbrojtjen e të drejtave të Grupit të LGBT, duke paralajmëruar ndryshime në Kodin e familjes, ligjin për birësimin dhe ligjin për njohjen e identiteti gjinor, të cilat do t’u mundësojnë të drejta dhe trajtim të barabartë. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimet e propozuara në Kodin e Familjes do të miratohen në Kuvend apo do të ketë një paketë me ndryshime të tjera. Çdo ndryshim në Kodin e Familjes miratohet me 84 vota, duke imponuar konsensus me opozitën.
(Kliko këtu) Projektligji për ndryshimin e Kodit të Familjes