Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Elena Pici deklaroi sot se, vetëm gjatë 9-mujorit të parë të viti 2021 janë sekuestruar mbi 18 milionë euro asete kriminale, falë luftës kundër krimit të organizuar. Pici mori pjesë në takimin vjetor të rrjetit BAMIN (Rrjeti Ballkanik i Agjencive të Aseteve të Sekuestruara), me pjesëmarrjen e vendeve anëtare dhe organizmave ndërkombëtare si OSBE, GIZ etj., në të cilin u publikuan fakte, shifra e të dhëna rreth sekuestrimit të pasurive dhe aseteve të vëna në rrugë të paligjshme e kriminale.
Pici në fjalën e saj bëri një panoramë të veprimtarisë së agjencive ligjzbatuese shqiptare në luftë kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimit të pronave të vëna në rrugë kriminale. Në fjalën e saj, ajo ndër të tjera theksoi se, “në cilësinë e Kryetares së Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, gjatë aktiviteteve të këtij Komiteti, kemi marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, duke i kthyer komunitetit ato që janë konfiskuar nga krimi. Kam këtu kënaqësinë të përmend shembuj shumë të mirë të aplikimit të projekteve të rëndësishme si projekti ‘CAUSE’. Kemi arritur të ngremë sipërmarrjet e para sociale në pronat, të cilat kanë qenë të konfiskuara nga krimi apo të vazhdojmë me projekte të tjera si RISE Albania, apo me kalimin e pronave të konfiskuara nga krimi, institucioneve ligjzbatuese apo pushtetit vendor, i cili i përdor ato për shërbime sociale. Nga ana tjetër, kemi financuar institucionet ligjzbatuese, siç janë Policia e Shtetit, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme”.
Gjatë këtij viti Shqipëria ka mbajtur presidencën e radhës të kësaj nisme rajonale, në të cilën bëjnë pjesë 8 vende të rajonit, përfshirë Kosovën. Si vend themelues i kësaj nisme, Shqipëria përfaqësohet nëpërmjet AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive dhe Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara) institucion nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Kjo nismë rajonale është ngritur me mbështetjen dhe financimin e OSBE, ku donatorë janë SHBA, Gjermania, Anglia e Italia, e në të bëjnë pjesë agjencitë e posaçme të 8 vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilat menaxhojnë asetet e sekuestruara nga individë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Projekti, me një buxhet rreth 2.5 milionë euro, ka nisur në vitin 2019 dhe parashikohet të mbyllet në mesin e vitit 2022. Qëllimi i tij është forcimi i luftës kundër krimit të organizuar transnacional në Evropën Juglindore, duke përmirësuar bashkëpunimin rajonal në kapjen, konfiskimin, menaxhimin dhe ripërdorimin e aseteve të ngritura në rrugë kriminale.